2009-04-17 17:11:25

Kapitulli ndërkombëtar i rrogozave: me shpirtin e Shën Françeskut për të tërhequr ata që janë larg!


(17.04.2009 RV)RealAudioMP3 Cila është detyra e veçantë e françeskanëve në Kishën e në botën e sotme? E karizma e varfërisë, duhet parë si zgjedhje e rrugës për t’u shërbyer të varfërve, apor edhe e vetë varfërisë, si kusht në përpjekjen për t’i përngjarë Krishtit? Janë këto pyetjet kryesore, të cilave që dje po u përgjigjen pjesëmarrësit në Kapitullin ndërkombëtar të rrogozave, siç quhet kapitulli i përgjithshëm i Urdhërit Françeskan, në kujtim të kapitullit, mbledhur 800 vjet më parë nga vetë Shën Françesku, hapur në Asizi. Në këtë ngjarje të madhe për Urdhërin, që do të përfundojë nesër, marrin pjesë dymijë delegatë, nga 65 vende të ndryshme, që përfaqësojnë një univers të vërtetë françeskan, me 35 mijë bij të Shën Françeskut, të ndarë në katër familje të mëdha: Françeskanë minorë, Konventualë, minorë kapuçinë e rregulltarë terciarë. Kapitulli i ri mblidhet në përkujtim të 800-vjetorit të njohjes së rregullës së parë të Shën Françeskut nga Papa Inoçenci III. Takimi mbahet pranë bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve, ku ruhet Porciunkola, kapela e lashtë, rreth së cilës u mblodhën fretërit e parë. Kjo Kapelë u kujton françeskanëve të kohëve moderne se prej aty Françesku i nisi sivëllezërit e tij të parë nëpër rrugët e botës, dy nga dy, për të çuar mesazhin e paqes e të pajtimit ndërmjet njerëzve me zemër të thyer e me shpirt të plagosur nga mjerimet e përditshme të botës. Mesazh tepër aktual ky, që ndjehet fuqimisht edhe tek tema e zgjedhur për Kapitullin 2009: “T’i qëndrojmë besnikë karizmës françeskane”, e që po frymëzon të gjitha reflektimet. Por, ç’po kujtojnë në mënyrë të posaçme françeskanët në vitin 2009? Nuk kujtojnë miratimin e Rregullës, sipas së cilës premtuan se do të jetojnë, por kryesisht miratimin e Rregullës së parë të Shenjtit themelues, zanafillën e Urdhërit të tyre e detyrat e sotme që lidhen me të. Detyra kryesore e françeskanëve të sotëm është t’i afrojnë përsëri tek Krishti njerëzit që janë larguar ose që rrinë larg Kishës. Shumë njerëz nuk janë në gjendje të arrijnë te Krishti përmes Kishës, prandaj duhen ndihmuar për të arritur tek Kisha, duke u rinisur nga Jezusi e nga Ungjilli i tij, duke i bindur se nuk pranohet Krishti për dashuri të Kishës, por Kisha për dashuri të Krishtit.
Kohët e reja kërkojnë nga françeskanët të bëhen më shumë peshkatarë sesa barinj, në mënyrë që duke vijuar t’i kullosin delet të cilat u janë besuar, të jenë në gjendje edhe t’i ‘peshkojnë’ përsëri të larguarit, ose ata që nuk e njohin ende Kishën. Predikimi udhëve të botës, duke u endur deri në skajet më të harruara, i zgjedhur nga Shën Françesku, i përgjigjet më së miri kësaj detyre, që françeskanët duhet ta kryejnë si të varfër ndërmjet të varfërve, sepse një nga rrugët kryesore që kanë zgjedhur është ajo e ecjes dorë për dore me ‘motrën’ varfëri. Jo më kot Shën Françesku mbeti në kujtesën e Kishës e të botës si ‘Varfanjaku i Asizit’.
E nesër në orën 12.00 Benedikti XVI do të presë në audiencë, në Oborrin e Kastel Gandolfos, 3 mijë përfaqësues të familjes së shumnumërt françeskane, nga mbarë bota.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.