2009-04-17 17:13:05

Guximi i grave të Kabulit


(17.04.2009 RV)RealAudioMP3 Gazeta vatikanase ‘L’Osservatore Romano’ është pranë grave shiite, të cilave u kushton shkrimin: ‘Guximi i grave të Kabulit’.
“U gjuajtën me gurë gratë afgane, që protestuan dje në Kabul kundër miratimit të ligjit mbi të drejtat të familjes për pakicat shiite”, shkruhet në një artikull botuar në faqen e parë të gazetës vatikanase. Ligji, i cili ngjalli protesta të shumta, kërkon që gruaja t’i nënshtrohet plotësisht burrit. Posaçërisht neni 132 thekson se gratë duhet t’i binden në çdo rast e për çdo gjë burrave të tyre, pa përjashtuar as përdhunimin. Lejohet gjithashtu martesa me vajza të mitura, ndërsa ndalohet dalja e grave nga shtëpia pa lejen e bashkëshortit.
Dy grupet manifestuese, për e kundër ligjit, u ndeshën para xhamisë Khatam në Nabi, që drejtohet nga Mohamad Asif Mohseni, njëri nga mbrojtësit më të zjarrtë të ligjit, në praninë e policisë kundër trazirave. Nga njëra anë 50 gra (200 sipas disa burimeve), shumica aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që hidhnin parullën “Nuk e duam ligjin taleban!”, e nga ana tjetër 100 gra të tjera me parulla pro ligjit e pankarta që himnizonin drejtësinë islamike. Me këtë grup u bashkuan rreth 200 burra, të cilët nisën t’i gjuajnë me gurë gratë kundërshtare të ligjit.
Presidenti afgan, Hamid Karzai, nën presionin e perëndimorëve, premton se do ta rishikojë tekstin, tepër të dëshiruar nga mjediset fetare e që ka të bëjë vetëm me pakicën shiite të vendit. Sipas presidentit afgan, polemikat në mediat perëndimore e shqetësimet që shkaktoi ligji, mund të jenë pasojë e përkthimit të parregullt, madje të gabuar, të tekstit të ligjit, ose e një shpjegimi të pasaktë të tij.
Ajatollahu Mohamed Asef Mohesene, personaliteti më i lartë e hjerarkisë fetare, njofton se modifikimi i ligjit as që mund të mendohet: “Çdo tip ndryshimi – thekson – do të ishte kundër Kushtetutës” e shton se SHBA e perëndimi po e teprojnë me presionet e tyre – shkruhet në L’Osservatore Romano.







All the contents on this site are copyrighted ©.