2009-04-16 17:20:31

Rusia i kërkon NATO-s të pezullohen manovrat e ardhshme në Gjeorgji


(16.04.2009 RV)Përfaqësia e përherëshme ruse pranë NATO-s i ftoi drejtuesit e Aleancës Atlantike t’i shtyjnë ose t’i anullojnë fare manovrat ushtarake të parashikuara për në Gjeorgji në majin dhe qershorin e ardhshëm. Rusia e justifikon këtë kërkesë duke paraqitur tri arsye, e para se marrëdhëniet Rusi-Nato nuk janë normalizuar ende; e dyta se Moska kishte paralajmëruar se do të vinte sanksione ndaj atyre vendeve që do të mbështetnin militarizimin e Gjeorgjisë dhe së treti se këto manovra ushtarake mund të interpretohen si mbështetje ndaj shumë të përfolurit presidentit gjeorgjian Mihail Sakaashvili.

Po ashtu pas dhjetë vjetësh Rusia hoqi masat e jashtëzakonshme të luftës antiterroriste në Çeçeni. Duke filluar nga sot të gjitha masat që lidhen me luftën kundër terrorizmit në Çeçeni do të jenë standard me ato të të gjitha zonave të tjera të Federatës Ruse. Lajmi u dha nëpërmjet një komunikate të shërbimeve ruse në të cilën thuhet se shfuqizimi i masave të jashtëzakonshme antiterroriste synon normalizimin e mëtejshëm të situatës në Çeçeni.







All the contents on this site are copyrighted ©.