Më 16 prill kalendari kishtar përkujton Shën Bernrdetën Subirů.
(16.04.2009 RV)Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Bernrdetën Subirů, bijë e
një mullisi të varfër, lindur në Lurdë, ndërmjet Pirenejve. Më 11 shkurt 1858 në shtëpinë
e saj ishin djegur të gjitha drutë. Duhej të shkonte në mal për të bërë të tjera.
Por përjashta binte shi i rrëmbyer. Ishte gati e pamundur të bridhje nëpër pyll. Atëherë
vajza shkoi në Shpellën e Masabielës, ku barinjë e vegjël mblidhnin shpesh degë të
thata. Papritmas ndjeu një fëshfërimë të lehtë gjethesh, që e bëri të ngrinte kokën
në drejtim të Shpellës. Pa një Zonjë me fytyrë të ndritshme e me buzë në gaz. Ishte
e veshur krejt me të bardha e një brez i kaltër ia shtrëngonte lehtë përmjetin. Këmbët
i kishte të zbathura, në sa në krahun e djathtë mbante një rruzare me kokrra të bardha,
përshkuar në një fill ngjyrë ari. - Kush je ti? - e pyeti. Po ajo nuk u përgjigj.
E vajza u kthye disa herë, e disa herë ia përsëriti pyetjen, derisa mori përgjigjen:
"Unë jam Zoja e Papërlyer”. Mrekullia e dukjes së parë, të cilën Bernardeta e përjetoi
në një gjendje absolute ekstaze, u pasua nga 17 dukje të tjera, deri më 17 korrik
1858. Pas këtyre dukjeve, Bernardeta kaloi gjashtë vjet në Institutin e Motrave të
Mëshirës të Neversit, ku kreu edhe periudhën e rishtarisë. Kjo periudhë zgjati më
shumë se duhej, për shkak të shëndetit të saj të ligësht. Bëri, më pas, kushtet e
përjetshme duke ndërruar edhe emrin: u quajt Motër Maria Bernarda. Vdiq në moshën
35 vjeçe, më 16 prill 1879. Më 8 dhjetor 1933 Papa Piu XI e lartoi në nderimet e elterit.