2009-04-16 15:33:54

Miqësia me Krishtin, shenjë dalluese e jetës së Benediktit XVI: sot Papa feston 82-vjetorin e lindjes


(16.04.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI mbushi sot 82 vjeç, ngjarje që e festoi në Pallatin Apostolik të Kastelgandolfos. Të shumta urimet nga e gjithë bota, për njeriun e dashuruar me Zotin e me Kishën, bariun në shërbim të së Vërtetës. Që nga fëmijëria, miqësia me Jezu Krishtin karakterizon jetën e Jozef Racinger. Vetë Papa e kujton këtë fakt me mirënjohje, me rastin e ditëlindjes së 80-të:
“Miqësia e Jezu Krishtit është miqësia e Atij, i cili na bën njerëz që falim, e Atij që na fal, na largon vazhdimisht nga dobësia jonë e kështu, na edukon, na ndikon vetëdijen e detyrës së brendshme të dashurisë, e detyrës për t’iu përgjigjur besimit të tij në besnikërinë tonë” (Homelia e 15 prillit 2007, Sheshi i Shën Pjetrit)”.
Jozefi i vogël lindi më 16 prill 1927, e Shtuna e Madhe. Papa i ardhshëm pagëzohet në të njëjtën ditë e kështu, nënvizon ai vetë, lindja qe “shenja e fillimit të Pashkëve”. Në të njëjtën ditë u bë anëtar i familjes së vet dhe i familjes së madhe të Zotit:
“Falenderoj Hyjin, sepse kam mundur të provoj se ç’do të thotë “familje”; kam mundur të provoj se ç’do të thotë atësi, kështu që emri i Zotit si Atë m’u bë i kuptueshëm nga brenda; mbi bazën e përvojës njerëzore m’u hap rruga drejt Atit të madh e të mirë, që është në qiell. (Homelia e 15 prillit 2007, Sheshi i Shën Pjetrit)”.
Gjithnjë me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Benedikti XVI kujton se si u thirr nga Zoti për t’u bërë meshtar. Një dhuratë e re e shumë kërkuese, siç thotë Papa:
“Në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Apostuj, në vitin 1951, kur ne – mëse dyzet shokë – ndodheshim në katedralen e Frizingës të shtrirë mbi dysheme e kur mbi ne kërkohej ndërhyrja e të gjithë shenjtorëve, vetëdija se isha krejt i mangët para kësaj detyre më rëndonte. Po, më ngushëllonte fakti se mbrojtja e shenjtorëve të Zotit, e të gjallëve dhe e të vdekurve, kërkohej për ne. E dija se nuk do të mbetesha vetëm”.
E për thirrjen e tij, Ati i Shenjtë foli gjerësisht në takimin me të rinjtë e dioqezës së Romës, më 6 prill 2006. Benedikti XVI kujtoi situatën e vështirë në të cilën u rrit në Gjermaninë naziste, që dëshironte t’i hiqte qafe meshtarët. Por, kujton Papa, pikërisht për të kundërshtuar brutalitetin e regjimit, kishte nevojë për meshtarë, për zëra të fortë që të shpallnin Ungjillin:
“Në këtë situatë, thirrja për meshtar u rrit gati natyrshëm sëbashku me mua e pa ngjarje të mëdha kthimi në rrugën e Zotit. Gjithashtu, dy gjëra më kanë ndihmuar në këtë rrugë: që fëmijë, i ndihmuar nga prindërit e famullitari, zbulova bukurinë e Liturgjisë dhe e kam dashur gjithnjë e më shumë, sepse ndjeja se në të duket bukuria hyjnore e hapet zemra para qiellit”.
Dashuri për liturgjinë, pra, por edhe për teologjinë, “aventurën e madhe të dialogut me Zotin”. Megjithatë, u thotë Papa të rinjve, gjatë viteve të para të meshtarisë nuk mungojnë vështirësitë, por ato kapërcehen duke ia besuar veten krejtësisht Krishtit:
“Duke qenë njeri me formim teorik e jo praktik, e dija se nuk mjafton ta duash Teologjinë për të qenë meshtar i mirë, por është e nevojshme edhe të jesh gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar të rinjtë, meshtarët, të sëmurët, të varfërit; është e nevojshme të jesh i thjeshtë me të thjeshtët. Teologjia është e bukur, por edhe thjeshtësia e fjalës dhe e jetës së krishterë është e nevojshme. E kështu, pyesja veten: a do të jem në gjendje ta jetoj gjithë këtë e të mos jem i njëanshëm, vetëm teolog apo tjetër? Zoti më ndihmoi e sidomos, më ka ndihmuar shoqëria e miqve, e meshtarëve dhe e mësuesve të mirë”.









All the contents on this site are copyrighted ©.