2009-04-15 18:56:37

Shenjtorët e ditës: Sot Kisha katolike përkujtoi shenjtorët Abondi, Anastasia e Vasilika.


(15.04.2009 RV)Për Shën Abondin dimë vetëm aq sa shkruhet në Martiriologun Romak: “Përkujtohet në Romë, në bazilikën e Shën Pjetrit. Siç dëshmon papa Shën Gregori i Madh, qe besimtar i përvujtë, që i shërbeu kësaj Kishe”.

Shën Anastasia është martire e shekullit I. Së bashku me Vasilikën, qe nxënëse e Apostujve Pjetër e Pal. Me to u bashkua edhe matrona romake, Lucina. Të trija patën rol të njëjtë në grupin e "grave të përshpirtshme" që u ngarkuan me detyrën për të varrosur trupat e martirëve. I qëndruan pranë deri në frymën e fundit Princit të Apostujve, Shën Pjetrit si edhe Apostullit të Popujve, Shën Palit, duke i varrosur edhe trupat e tyre të martirizuar. Shën Anastasia, së bashku me dy shoqet e veta, e varrosi trupin e Shën Pjetrit pak më larg cirkut të Neronit, në kodrën e Vatikanit, ku sot lartohet bazilika që mban emrin e Tij. Ndërsa Shën Pali u varros në një nga pronat e Lucinës, buzë Tiberit, gjatë rrugës Ostiense.
E ndoqën shembullin e Apostujve deri në fund: u kapën si të krishtera dhe u torturuan mizorisht. Pasi iu pre gjuha, trupat e tyre u coptuan me shpata nën perandorin Neron, rreth vitit 68. Reliket e dy Shenjtoreve, të mbledhura me nderim të thellë, siç kishin bërë ato vetë më parë, u ruajtën nga të krishterët e parë, derisa u vendosën në Kishën romake të Shën Marisë së Paqes në Romë, ku nderohen edhe sot.







All the contents on this site are copyrighted ©.