2009-04-15 18:56:52

86 vjet më parë në Shkodër dilte numri i parë i së përjavshmes ‘Ora e maleve’.


(15.04.2009 RV)Më 15 prill 1923, 86-vjet më parë, në Shkodër dilte numri i parë i së përjavshmes opozitare Ora e maleve. U themelua nga Ernest Koliqi, së bashku me Anton Harapin (1888-1946), Nush Topallin e bashkëpunëtorë të tjerë të ndritur, që sigurisht Shkodrës së asaj kohe nuk i mungonin.
Ky periodik, ndonëse jetëshkurtër, u përhap gjerësisht në Shkodër e më tej. Në të bashkëpunuan pena të fuqishme, si ajo e Atë Gjergj Fishtës, e Atë Anton Harapit, e Ernest Koliqit, e Luigj Gurakuqit, e Don Lazër Shantojës…, që përmes faqeve të saj, i dhuruan letërsisë shqipe disa artikuj me stil të fuqishëm, me ironi elegante shkodrane: satira të shkëlqyera politike, me vlerë të madhe aktuale, ndonëse të panjohura e të mohuara. Vlen të kujtohet posaçërisht rubrika ‘Ora nder valle’ e me të, bashkëpunimi i XYZ – pseudonim që bashkon tre emra të shquar: Atë Gjergj Fishtën, Atë Anton Harapin e Don Lazër Shantojën.
Në dhjetor 1924, kur erdhi në fuqi me anën e grushtit të shtetit Ahmet Zogu (1895-1961), Lazër Shantoja, si shumë intelektualë të tjerë të kohës, iku në mërgim, në fillim në Jugosllavi e në Austri. Në janar 1928 në Vjenë nisi të botojë një të përdyjavshme të një grupi politik të pavarur mërgimtarësh shqiptarë me titull Ora e Shqipnisë, bijë e ‘Orës së Maleve”, edhe kjo jetëshkurtër.







All the contents on this site are copyrighted ©.