2009-04-14 16:19:08

Kisha kremton Tetëditshin e Pashkëve duke përsëritur kumtimin e gëzimit: Krishti vërtet është ngjallur.


(14.4.2009 RV)RealAudioMP3 Ditët ndërmjet së Dielës së pashkëve e deri të dielën e ardhshme, e Diela e Mëshirës Hyjnore, quhen ‘Tetëditshi i Pashkëve’, sepse formojnë një korpus të vetëm, në të cilin vazhdon të jehojë me forcë britma e gëzimit: “Krishti është ngjallur!”. Një britmë kjo, të cilën Papa, në emër të mbarë Kishës, e përsëriti në ditët kushtuar mundimeve, vdekjes mbi kryq e ngjalljes së Jezusit.
Pashkët janë burimi e kulmi i Liturgjisë së krishterë dhe i jetës së krishterë, sepse pikërisht në të – në ngjarjen e Pashkëve – Krishti ka vdekur e është ngjallur dhe na dhuron vetveten në Shpirtin Shenjt. Ja se pse, gjithmonë, qendra e këtij misteri ka mbushur zemrat, fenë dhe vetë Liturgjinë me gëzim. Ja se pse në histori është ndjerë nevoja e përhapjes dhe e zgjatjes, në një farë mënyre, të begatisë e plotësisë së kësaj dite, që është dita e ditëve, që na përkujton misterin qendror të fesë së krishterë, Ngjalljen e Krishtit, përmes kremtimit të një Tetëditshi të tërë.
Po kujtojmë edhe një herë pohimin e Papës Benedikti XVI, dhënë të Dielën e Pashkëve: “ ngjallja e Krishtit nuk është mit, as ëndërr, as teori, por një ngjarje historike që ka ndryshuar historinë e botës, historinë e secilit prej nesh”. Po, Krishti është ngjallur më të vërtetë: Papa
Po! Është pikërisht ky thelbi kryesor i rrëfimit të fesë sonë; është kjo britma e fitores që sot i bashkon të gjithë. E nëse Jezusi është ngjallur, e këndej është i gjallë, kush pra mund të na ndajë prej tij? Kush vallë mund të na privojë nga dashuria e tij, që e mund urrejtjen dhe e mposht vdekjen?...Ai është shpresa jonë, Ai është paqja e vërtetë e botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.