2009-04-14 16:56:55

Fidel Kastro: “Kuba nuk do ta shtrijë kurrë dorën për të kërkuar lëmoshë”. Lajme tjera nga bota.


(14.04.2009 RV)Kështu u shpreh udhëheqësi suprem i revolucionit kuban në lidhje me vendimin e administratës Obama për të hequr ligjin që iu ka ndaluar deri tashti shtetasve amerikanë vajtjen në Kubë për t’u takuar me familjarët apo për t’i dërguara atyre të holla. Edhe pse nuk e hoqi embargon tregtare ndaj Kubës, administrata e tanishme amerikane bëri të mundur për herë të parë që nga 1962, që amerikanët të vizitojnë lirisht ishullin karaibik. Sipas Shtëpisë së Bardhë, kjo gjë do të ndikojë në përforcimin e opozitës kubane. Po ashtu u hoqën edhe pengesat për kompanitë amerikane të telekomunikacioneve që dëshirojnë të hapin biznese atje. Sidoqoftë në deklaratën e Fidel Kastros thuhet se ai “nuk e akuzon Obamën për krimet e kaluara të qeverive të tjera amerikane”.

Korea e veriut lajmëroi se do t’i bojkotojë bisedimet ndërkombëtare për pezullimin e programeve bërthamore të saja dhe se ka vendosur të vërë përsëri në funksionim reaktorin e Jongbjonit. Lajmi u dha menjëherë pas komunikatës së djeshme të Këshillit të Sigurisë së OKB-së i cili e dënoi ashpër hedhjen e raketës që koreanët bënë me 5 prillin e kaluar. Korea e veriut e quajti këtë raketë vetëm si një provë për lëshimin në orbitë të një satelit telekomunikacionesh, ndërsa SHBA dhe Japonia e konsideruan atë si provë për një raketë luftarake me rreze të gjatë.

Po sot Moska e paralajmëroi qartë Korenë e veriut për pasojat negative që mund të ketë vendimi për rifillimin e programit bërthamor. “Shpresojmë se Korea e veriut do t’i mendojë pasojat e një hapi të tillë përsa i përket zgjidhjes së problemeve të gadishullit korean”, u shpreh për shtypin ministri i jashtëm rus. Reagimi i Moskës erdhi menjëherë pas vendimit të Koresë së veriut për të braktisur bisedimet gjashtëpalëshe për pezullimin e programi të saj bërthamor, bisedime në të cilat merr pjesë edhe Rusia.

Nga ana tjetër Kina e i ftoi bashkëbiseduesit e tjerë që të qetësohen dhe të tregohen të matur ndaj qëndrimit të ri të Koresë së veriut. Po ashtu Japonia u deklarua e gatshme t’i vazhdojë bisedimet gjashtëpalëshe pavarësisht vendimit të Koresë së veriut për t’i ndërprerë ato. Në negociatat, që kanë filluar më 2003 në Pekin, marrin pjesë përveç Koresë së veriut, ajo e Jugut, SHBA, Japonia, Russia dhe Kina.

Në Iran nisi gjyqi kundër gazetares amerikane Roksana Saberi, e akuzuar për spiunazh. Lajmi u dha nga zëdhënësi iranian Ali Jamshidi, gjatë një konference për shtyp. 31-vjeçarja Saberi jeton në Iran që prej gjashtë vjetësh, gjatë të cilëve ka studiuar por edhe ka shkruar një libër. Po ashtu gazetarja ka bashkëpunuar me mjete të ndryshme informimi si BBC, NPR dhe Fox News. Në janarin e kaluar ajo u arrestua fillimisht me akuzën se ka pirë alkohol e më pas se ka punuar si spiune për SHBA-ës

Nëntë burra nga fisi Fur i Darfurit, - të dënuar që më përpara për vrasjen e drejtorit të një gazete të rëndësishme sudaneze, - u varën sot në burgun e Kartumit. Ekzekutimi, sipas gazetës Sudan Tribune, u bë përpara familjarëve të viktimës. Fisi Fur është njëri nga ato fise që lufton kundër qeverisë së tashme sudaneze. Pikërisht për këtë konflikt presidenti i tashëm Omar Bashir është shpallur nga Gjykata e Hagës person në kërkim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor ndaj nëntë të akuzuarve ishte kundërshtuar ashpërsisht nga Amnesti Internashional sipas së cilës mbi të pandehurit është përdorur dhunë.

Tri partitë kryesore opozitare të Moldavisë kërkuan zyrtarisht që zgjedhjet parlamentare të 5 prillit të shpallen të pavlefshme dhe të votohet përsëri. Duke folur në një konferencë shtypi në Kishinau, udhëheqësi i partisë liberaldemokratike Vlad Filat foli edhe për manipulime të provuara të listave elektorale. Ai gjithashtu pohoi se opozita nuk do të marrë pjesë në rinumërimin e votave të autorizuar nga presidenti Vladimir Voronin. Zgjedhjet në fjalë u fituan nga partia komuniste.







All the contents on this site are copyrighted ©.