E Hëna e Engjëllit të Pashkëve rrëfen: misteri i Krishtit të Gjallë përuron një jetë
plotësisht të re.
(13.4.2009 RV)Kremtimi i Pashkëve, pra kremtimi i Krishtit të Gjallë liturgjikisht
zgjatet gjithë javën, kësaj jave, e cila dikur quhej “In Albis”. Besimtarët vijojnë
të kremtojnë edhe të hënën pas Pashkëve, që njihet me emrin e Hëna e Engjëllit, duke
e zgjatur kështu festën, gëzimin e së Kremtes më të madhe të vitit të Ngjallurit të
Krishtut. Po si kremtohet sot e Hëna e Engjëllit? Përgjigje: - Sot e Hëna
e Engjëllit është bërë më tepër festë profane, ka marrë formën e një shetitjeje jashta
qytetit e cila, për ata që i kanë kremtuar si duhet Pashkët, është gjë e bukur, është
vijim i gëzimit të festës së ngjalljes. Por për ata që nuk kanë kremtuar kurrfarë
Pashkësh, kurrfarë feste fetare, kjo e hënë sigurisht është e zbrazët e pa kuptim,
sepse do të thotë të festosh në një ditë që nuk dihet ç’ përkujton. Ndërsa për të
krishterët edhe ky gëzim njerëzor bën pjesë në gëzimin e Ngjalljes. Konkretisht, nga
ana liturgjike, vijon kumtimi i Ngjalljes, që këtë herë vjen nga Engjëlli, i cili
u duket grave, e prej këndej dita merr emrin e Hëna e Engjëllit. Java që vjen pas
Pashkëve quhet in Albis, sepse të posapagëzuarit këtë javë visheshin me të bardha
– e in albis do të thotë “me të bardha” – deri në të dielën e mëpasme. Pyetje:
- Që sot ne kemi para kohën e Pashkëve, që shkon deri në festën e Rrëshajëve.
Si duhet të përgatitemi për këtë solemnitet të madh, për ta pritur denjësisht Shpirtin
Shenjt? Përgjigje: - Të gjitha këto 50 ditë s’janë tjetër, veçse
zgjatje e Pashkëve e në të vërtetë e gjithë koha e Pashkëve deri në Rrëshajë në lashtësi
quhej e Rrëshajëve, dmth festa e Rrëshajëve ishte festa e 50 ditëve e jo e ditës së
50-të. E gjithë kjo kohë është kohë e përgatitjes për Rrëshajë. E si duhet të përgatitemi?
Kisha na e jep shembullin duke na vënë në buzë këtë lutje të vazhdueshme: “Eja, eja
Shpirti Shenjt! Eja, Shpirti Krijues!, Eja! Vetëm se ne shpesh herë themi eja, eja,
e nuk e kuptojmë ç’po kërkojmë. Ose themi: Eja Shpirti Shenjt, veç mos prek gjë në
jetën time, mos më ndrysho asgjë. Që të përgatitemi për Rrëshajë, duhet ta lëmë Shpirtin
Shenjt të lirë që të ndërhyjë si të dojë në jetën tonë, e në se i duket e nevojshme,
të bëjë edhe ndryshime. Pyetje: - Po ç’është, ose më mirë të
themi, kush është Shpirti Shenjt? Përgjigje: - Shpirti Shenjt
është Vetja e tretë e Trinisë, në lidhje trinitare të njëllojtë me Atin e Birin. Para
Krishtit konceptohej pak a shumë si forcë, si rrezatim i Perendisë, një mënyrë për
ta bërë të pranishëm Zotin. Me Krishtin kemi dëftimin e plotë të Trinisë e prej këndej,
edhe të Shpirtit Shenjt, që është i dërguar, që dëshmon, që udhëheq drejt së vërtetës
së plotë. Këto janë tiparet e Shpirtit të Zotit. Bibla flet për Shpirtin Shenjt përmes
figurës së erës, të ujit, të zjarrit, të aromës së këndshme, ose edhe të pëllumbit,
sepse ndryshe nuk mund ta përfytyrojmë. Është një realitet pastërtisht shpirtëror.
Teologjikisht Shën Agostini thotë se është dashuri e personifikuar ndërmjet Atit e
Birit. Në se Zoti është dashuri, Shpirti Shenjt është pikërisht lidhja ndërmjet Atit
e Birit, lidhja e dashurisë. Kudo arrin Shpirti Shenjt, arrin dashuria. E ne kemi
tepër nevojë për Të. Sa mirë do të ishte sikur njerëzit ta ndjenin nevojën për praninë
e Shpirtit Shenjt edhe për të jetuar si njerëz. Martesa, për shembull, që është sakrament
dashurie, nuk mund të jetohet, në se në një mënyrë a në një tjetër nuk është e pranishme
dhurata e Shpirtit Shenjt, që është dhuratë e Zotit e e pajis njeriun me aftësinë
të dhurojë vetveten si në martesë, ashtu edhe në mjediset tjera të jetës. Oh, sa mirë
do të ishte sikur ne ta njihnim më mirë Shpirtin Shenjt, ndoshta kështu jeta do të
ishte më pak monotone nga ç’është tani, sidomos për të krishterë.