2009-04-12 16:47:10

Papa në mesazhin ‘Urbi et Orbi’: Ngjallja e Krishtit nuk është përrallë, po ngjarje që ndriçon zonat e errëta të botës!


“Ngjallja e Zotit është shpresa jonë”, që “ndriçon zonat e errëta të botës në të cilën jetojmë”: kështu u shpreh Benedikti XVI sot, Ditën e Pashkëve, në Mesazhin Urbi et Orbi – drejtuar Romës e Botës nga lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit, pasi kremtoi Meshën Shenjte të ditës, në tremen e Shën Pjetrit, para një turme prej njëqind mijë besimtarësh, të cilët që në orët e para të mëngjesit mbushnin plot Sheshin e zbukuruar me kompozime mahnitëse lulesh, dhuratë e Holandës. Nuk duhet të dëshpërohemi, prandaj, para vdekjes – theksoi Ati i Shenjtë - duke kujtuar se Krishti e shkuli rrënjën e së keqes, por megjithatë ka nevojë për burra e gra, që në çdo kohë e çdo vend ta ndihmojnë për ta pohuar fitoren e tij me të njëjtat armë që përdori ai vetë.

Ç’na pret pas vdekjes? Kjo është një nga pyetjet, që e shqetësojnë më shumë jetën e njeriut – shpjegoi Papa në Mesazhin Urbi et Orbi. Një enigmë, përgjigjen e së cilës e gjejmë pikërisht tek Pashkët, që na sigurojnë se nuk është vdekja ajo, që do ta thotë fjalën e fundit, sepse në fund të fundit do të ngadhënjejë Jeta. E kjo siguri nuk bazohet mbi arsyetime të thjeshta njerëzore, por mbi një të dhënë historike feje:
“Jezu Krishti, i kryqëzuar e i varrosur, u ngjall me korpin e tij të lumnuar. Jezusi u ngjall edhe për ne që, duke besuar në Të, të kemi jetën e pasosur. Ky kumtim përbën zemrën e mesazhit ungjillor”.
Pashkët nuk shënojnë thjeshtë një çast të historisë - shpjegoi Benedikti XVI - por fillimin e një atmosfere të re:
“Jezusi u ngjall jo sepse deshi që kujtimi i tij të mbetej i gjallë në zemrën e nxënësve, por që ai vetë të jetojë në ne e në Të të mund të shijojmë gëzimin e jetës së amshuar”.
Prandaj ringjallja nuk është teori, por realitet historik i zbuluar nga Njeriu Jezu Krisht përmes ‘pashkës’ të tij, ‘kalimit’ të tij, që hapi një ‘udhë të re’ ndërmjet tokës e qiellit (cfr Eb 10,20). Nuk është mit, as ëndërr, s’është vegim as utopi, nuk është përrallë, por ngjarje e pashembullt dhe e papërsëritshme.
Ky kumtim i ringjalljes së Zotit – vërejti Benedikti XVI - ndriçon zonat e errëta të botës në të cilën jetojmë.
“E kam fjalën posaçërisht për materializmin e nihilizmin, për vizionin e botës, i cili nuk di të ngrihet mbi atë që është e vërtetueshme eksperimentalisht. E arrin, pa gjetur kurrfarë ngushëllimi, në përfundimin se fati i njeriut shkon drejt asgjësë”.
Është një fakt që, pa ringjalljen e Krishtit, do ta kishte mposhtur përfundimisht njeriun. Në se heqim Krishtin e ringjalljen e Zotit, njeriu nuk ka kurrfarë shpëtimi e çdo shpresë e tij mbetet ëndërr e kotë.
Por në agimin e Pashkëve gjithçka u bë e re. Një risi, e cila e ndryshon jetën e atij që e pranon, ashtu si – kujtoi Papa në këtë vit kushtuar Shën Palit - ua ndryshoi shenjtorëve e edhe vetë Apostullit të Popujve.
E megjithëse është e vërtetë që vdekja nuk ka më pushtet mbi njeriun, vijojnë të mbeten shumë shenja të sundimit të saj të lashtë:
“Përmes Pashkëve, Krishti e shkuli rrënjën e së keqes, por megjithatë ka nevojë për burra e gra, që në çdo kohë e çdo vend ta ndihmojnë për ta pohuar fitoren e tij me të njëjtat armë: armët e drejtësisë e të së vërtetës, të mëshirës, të faljes e të dashurisë”.
Ky – kujtoi Ati i Shenjtë - është mesazhi që u përpoqa t’ia çoj mbarë popullit afrikan me rastin e shtegtimit tim të fundit apostolik në Kamerun e Angolë:
“Afrika vuan pamasë për shkak të konflikteve të egra e të pafundme – shpesh të harruara – që ia coptojnë e ia gjakosin shumë prej Kombeve, e për numrin gjithnjë në rritje të bijve e bijave të saj, që bien pre e urisë, e varfërisë, e sëmundjeve”.
Të njëjtin mesazh Papa do ta përsërisë pas disa javësh edhe në Tokën Shenjte, ku Pajtimi, i vështirë, por i domosdoshëm - vërejti - parakusht për ardhmërinë e sigurtë të të gjithëve e për bashkëjetesën paqësore, nuk mund të bëhet realitet, pa përpjekjet e përsëritura, këmbëngulëse e të sinqerta për zgjidhjen e konfliktit izraelo-palestinez. Nga Toka e Shenjtë pastaj, vështrimi i Papës kaloi në vendet fqinje, në Lindjen e Mesme e në mbarë botën:
“Në një kohë mungese globale të ushqimit, rrumuje financiare, varfërish të vjetra e të reja, ndryshimesh shqetësuese klimaterike, dhune e mjerimi, që detyrojnë shumkënd të lërë trojet e veta në kërkim të një jete më pak të pasigurt, terrorizmi gjithnjë kërcënues, frike në rritje përballë pasigurisë të së nesëmes, është urgjente të rizbulohen perspektiva që mund të ringjallin shpresën. Askush nuk duhet të tërhiqet nga kjo betejë paqësore, që nisi me Pashkët e Krishtit”.
Benedikti XVI kujtoi edhe të krishterët që vuajnë nga persekutimet për shkak të fesë së tyre e të impenjimit të tyre për drejtësi e paqe dhe nënvizoi se lutet për një shpresë, që është në gjendje të ngjallë guximin për të bërë të mirën edhe e sidomos, atëherë kur kushton shtrenjt.

Në Meshën e Pashkëve, që u hap me Ritin e lashtë të Resurrexit, Benedikti XVI, duke kujtuar traditën e moçme hebraike, që u përmbush e u shndërrua nga Krishti në ‘Pashkën’ e tij, kujtoi se të gjithë besimtarët duhet të bëhen ‘brum i ri’, “bukë e pambrujtur’, e çliruar nga çdo mbeturinë e tharmit të vjetër të mëkatit, nga çdo ligësi e mbrapshti që trazon zemrën”.
Gjatë përshëndetjeve përfundimtare në 63 gjuhë të ndryshme të botës, hapur me përshëndetjen drejtuar popullit italian, posaçërisht atyre që vuajnë nga pasojat e tërmetit, i cili tronditi aq rëndë Abrucon, edhe urimi në gjuhën shqipe. “Për shumë vjet Pashkët!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.