2009-04-12 13:48:00

Mesazhi i Papës ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’ për Pashkë!


Të dashur vëllezër e motra të Romës e të mbarë botës!
Ju shpreh nga zemra ju të gjithëve urimin e Pashkëve me fjalët e Shën Agostinit:“Resurrectio Domini, spes nostra”- “Ngjallja e Zotit është shpresa jonë”(Agostino, Sermo 261, 1). Me këtë pohim, Ipeshkvi i madh u shpjegonte besimtarëve të vet se Jezusi u ngjall për ne që, ndonëse të gjykuar për vdekje, të mos të dëshpëroheshim, duke menduar se me vdekjen jeta merr fund përgjithmonë; Krishti u ngjall për të na dhënë shpresë (cfr ibid.).
Në të vërtetë një nga pyetjet që e shqetëson më shumë jetën e njeriut, është pikërisht kjo: ç’na pret pas vdekjes? Solemniteti i sotëm na krijon mundësinë t’i përgjigjemi se nuk është vdekja ajo, që do ta thotë fjalën e fundit, sepse në fund të fundit do të ngadhënjejë Jeta. E kjo siguri nuk bazohet mbi arsyetime të thjeshta njerëzore, por mbi një të dhënë historike feje: Jezu Krishti, i kryqëzuar e i varrosur, u ngjall me korpin e tij të lumnuar. Jezusi u ngjall edhe për ne që, duke besuar në Të, të kemi jetën e pasosur. Ky kumtim përbën zemrën e mesazhit ungjillor. E deklaron me forcë Shën Pali: “Në se Krishti nuk u ngjall me të vërtetë, atëherë i kotë është predikimi ynë – e i kotë besimi juaj”. E shton: “Në qoftëse patëm shpresë në Krishtin vetëm për të mirat e kësaj bote, jemi njerëzit më të mjerë, për t’u mëshiruar nga të gjithë” (1 Cor 15,14.19). Që nga agu i Pashkëve një pranverë e re e vesh botën; nga kjo ditë ringjallja jonë tashmë ka filluar, sepse Pashkët nuk shënojnë thjeshtë një çast të historisë, por fillimin e një atmosfere të re: Jezusi u ngjall jo sepse deshi që kujtimi i tij të mbetej i gjallë në zemrën e nxënësve, por që ai vetë të jetojë në ne e në Të të mund të shijojmë gëzimin e jetës së amshuar.
Prandaj ringjallja nuk është teori, por realitet historik i zbuluar nga Njeriu Jezu Krisht përmes ‘pashkës’ të tij, ‘kalimit’ të tij, që hapi një ‘udhë të re’ ndërmjet tokës e qiellit (cfr Eb 10,20). Nuk është mit, as ëndërr, s’është vegim as utopi, nuk është përrallë, por ngjarje e pashembullt dhe e papërsëritshme: Jezusi i Nazaretit, i biri i Marisë, të cilin në perëndim të së Premtes e zbritën nga kryqi dhe e varrosën, doli fitimtar nga varri. Në të vërtetë, në ag të ditës së parë pas së shtunës, Pjetri e Gjoni e gjetën varrin të zbrazët. Magdalena e gratë e tjera e takuan Jezusin e ngjallur; edhe dy nxënësit e Emausit e njohën në të thyer të bukës; në muzg i Ngjalluri iu duk Apostujve që ishin mbledhur në Çenakulll e më pas, shumë dishepujve të tjerë në Galile.
Kumtimi i ringjalljes së Zotit ndriçon zonat e errëta të botës në të cilën jetojmë. E kam fjalën posaçërisht për materializmin e nihilizmin, për vizionin e botës, i cili nuk di të ngrihet mbi atë që është e vërtetueshme eksperimentalisht. E arrin, pa gjetur kurrfarë ngushëllimi, në përfundimin se fati i njeriut shkon drejt asgjësë. Është një fakt që, pa ringjalljen e Krishtit, do ta kishte mposhtur përfundimisht njeriun. Në se heqim Krishtin e ringjalljen e Zotit, njeriu nuk ka kurrfarë shpëtimi e çdo shpresë e tij mbetet ëndërr e kotë. Por pikërisht sot shpërthen fuqishëm lajmi i madh i ngjalljes së Zotit, që i përgjigjet pyetjes së përsëritur nga skeptikët, të cilën e gjejmë në Librin e Koheletit: “S’ka asgjë të re nën këtë diell. Në se thuhet për një gjësend: ‘Ja, kjo është e re!’ – ajo ishte shekuj me radhë para nesh” (Qo 1,10). Po, përgjigjemi: në agimin e Pashkëve gjithçka u rinua. “Mors et vita / duello conflixere mirando: dux vitae mortuus/ regnat vivus – Vdekja e jeta në bejleg ranë/ Armët vringëlluese n’luftë i ndanë/ Prijës’ i jetës që vdiq, jeton/ Më i gjallë se të gjallët mbretëron!”. Kjo është e reja! Një risi, e cila e ndryshon jetën e atij që e pranon, ashtu si ua ndryshoi shenjtorëve. E kështu i ndodhi edhe Shën Palit.
Disa herë, në kuadrin e vitit kushtuar Shenjtit, patëm rast të meditojmë për përvojën e Apostullit të madh. Sauli i Tarsit, persekutuesi i tërbuar i të krishterëve, në rrugën drejt Damaskut takoi Jezu Krishtin e ngjallur e ‘u pushtua’ prej Tij. Të tjerat dihen. Palit i ndodhi ajo që, më vonë, do t’ua përshkruante të krishterëve të Korintitit: “Në se ndoskush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk dhe, ja, u bë e reja” (2 Cor 5,17). Kujtojmë këtë ungjillëzues të madh, i cili me entuziazmin e guximshëm të veprimtarisë apostolike, ua çoi Ungjillin shumë popullsive të botës së asokoshme . Mësimi i tij e shembulli i tij na nxisin ta kërkojmë përsëri Zotin Jezus, na japin zemër të besojmë në Të, sepse tashmë ndjesia se njeriu përfundon në asgjë, e cila përpiqet ta helmatisë njerëzimin, u mposht nga drita e nga shpresa që rrezatojnë prej ringjalljes. Tashmë janë të vërteta e reale fjalët e Psalmit: “Deri terrinat vetë pranë tejet janë dritë/ e nata për ty si drita rrezëllon”.(139[138],12). Nuk është më hiçi që e mbështjell çdo gjë, por prania plot dashuri e Hyjit. E deri vetë mbretëria e vdekjes u çlirua, sepse edhe nën tokë arriti Fjala e jetës, e shtyrë nga fryma e Shpirtit (v. 8).Megjithëse është e vërtetë që vdekja nuk ka më pushtet mbi njeriun, vijojnë të mbeten shumë shenja të sundimit të saj të lashtë. Përmes Pashkëve, Krishti e shkuli rrënjën e së keqes, por megjithatë ka nevojë për burra e gra, që në çdo kohë e çdo vend ta ndihmojnë për ta pohuar fitoren e tij me të njëjtat armë: armët e drejtësisë e të së vërtetës, të mëshirës, të faljes e të dashurisë. Ky është mesazhi që, me rastin e shtegtimit tim të fundit apostolik në Kamerun e Angolë u përpoqa t’ia çoj mbarë popullit afrikan, që më priti me entuziazëm të madh, i gatshëm për të më dëgjuar. Afrika vuan pamasë për shkak të konflikteve të egra e të pafundme – shpesh të harruara – që ia coptojnë e ia gjakosin shumë prej Kombeve, e për numrin gjithnjë në rritje të bijve e bijave të saj, që bien pre e urisë, e varfërisë, e sëmundjeve. Të njëjtin mesazh do ta përsëris me forcë në Tokën Shenjte, ku do të kem gëzimin të shkoj pas disa javësh. Pajtimi, i vështirë, por i domosdoshëm, parakusht për ardhmërinë e sigurtë të të gjithëve e për bashkëjetesën paqësore, nuk mund të bëhet realitet, pa përpjekjet e përsëritura, këmbëngulëse e të sinqerta për zgjidhjen e konfliktit izraelo-palestinez. Nga Toka e Shenjtë pastaj, vështrimi kalon në vendet fqinje, në Lindjen e Mesme e në mbarë botën. Në një kohë mungese globale të ushqimit, rrumuje financiare, varfërish të vjetra e të reja, ndryshimesh shqetësuese klimaterike, dhune e mjerimi, që detyrojnë shumkënd të lërë trojet e veta në kërkim të një jete më pak të pasigurt, terrorizmi gjithnjë kërcënues, frike në rritje përballë pasigurisë të së nesëmes, është urgjente të rizbulohen perspektiva që mund të ringjallin shpresën. Askush nuk duhet të tërhiqet nga kjo betejë paqësore, që nisi me Pashkët e Krishtit i cili, e përsëris – kërkon burra e gra që e ndihmojnë ta pohojë fitoren e tij me të njëjtat armë, me armët e drejtësisë e të vërtetësisë, të mëshirës, të faljes e të dashurisë.
“Resurrectio Domini, spes nostra!”- “Ngjallja e Zotit është shpresa jonë!”. Këtë shpall sot Kisha me gëzim: kumton shpresën, që Hyji e bëri të fortë e të pathyeshme, duke ngjallur Jezu Krishtin prej të vdekurve; komunikon shpresën, që e ka në zemër e dëshiron ta ndajë me të gjithë, në çdo vend, posaçërisht atje ku të krishterët vuajnë nga persekutimet për shkak të fesë së tyre e të impenjimit të tyre për drejtësi e paqe; lutem për një shpresë, që është në gjendje të ngjallë guximin për të bërë të mirën edhe e sidomos, atëherë kur kushton shtrenjt. Sot Kisha këndon “ditën që bëri Zoti” e fton për t’u gëzuar. Sot Kisha lutet. I lutet Marisë, Yll i Shpresës, t’i prijë njerëzimit drejt portit të sigurt të shëlbimit që është Zemra e Krishtit, Flija e Pashkëve, Qengji që shpërbleu botën, i Pafajshmi që na pajtoi ne, mëkatarët, me Atin. Atij, Mbretit fitimtar të kryqëzuar e të ngjallur, ne i këndojmë plot gëzim Alelujën tonë!







All the contents on this site are copyrighted ©.