Kryqi nuk është ndeshkim, as shkandull, por lavdi!
“Për ne, Krishti u bë i dëgjueshëm deri në vdekje. E në vdekjen e Kryqit” - shkruan
Shën Pali. Në dymijëvjetorin e lindjes së Apostullit, të ridëgjojmë disa nga fjalët
e tij të zjarrta mbi misterin e vdekjes së Krishtit, që jemi duke e kremtuar. Askush
më mirë se Apostulli i Popujve nuk mund të na ndihmojë ta kuptojmë më thellësisht
Kryqin e Krishtit. Në Letrën drejtuar Korintianëve, shkruan: “Ndërsa hebrenjtë
kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, për hebrenj
shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit – si për hebrenj ashtu për grekë
– fuqi e Hyjit e dije e Hyjit (1 Kor 1,22-24). Vdekja e Krishtit ka vlerë universale:
“Një vdiq për të gjithë e, prandaj të gjithë vdiqën” (2 Kor 5,14). Vdekja e
tij i dha kuptim të ri vdekjes së çdo burri e të çdo gruaje. Para syve të Palit
Kryqi ka përmasa kozmike. I mbërthyer mbi të, Krishti shembi muret që i ndajnë njerëzit
e kombet, i pajtoi ata me Hyjin e me të afërmin, duke shkatërruar çdo lloj armiqësie
(cf Ef. 2,14-16). Prej këndej tradita e lashtë e shikon Kryqin si dru kozmik,
i cili me krahun vertikal bashkon qiellin me tokën e me krahun horizontal, pajton
mbarë popujt e botës. Ngjarje kozmike, e njëkohësisht tejet personale, sepse Krishti:
“Më deshi e flijoi jetën për mua”(Gal 2,20). Çdo njeri, shkruan Apostulli,
është ai ‘për të cilin Krishti vdiq” (Rom 14,15). Prej këndej, Kryqi nuk
duhet parë si ndeshkim, as si shkandull, por si lavdi e krenari për çdo të krishterë,
sepse përmes tij njeriu lartohet në fe e, njëzëri me Shën Palin, mund të thotë: “Sa
për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveçse me Kryqin e Zotit
tonë Jezu Krishtit” (Gal 6,14). Prandaj Pali e nguli Kryqin në qendër të
Kishës, si ngulet direkun kryesor në qendër të anijes. Kujtojmë se kur Shën Pali
shkruante kështu, kryqi ishte sinonim me turpin më të madh, ishte fjalë që nuk duhej
as të përmendej, sepse shkaktonte shkandull e shikohej si ndeshkimi më i rëndë që
mund të pësonte njeriu. Ndërsa më vonë Shën Agostini do të theksonte: “Tani Kryqi
i Krishtit mbushi përplot botën e shkëlqen mbi kurorën e mbretërve”.