(11.4.2009 RV)Triditëshi i Pashkëve arrin kulmin në Natën që kremtohet ndërmjet
së Shtunës së Madhe e të Dielës së Ringjalljes. E treta ndër ditët e shenjta është,
ndër të gjitha, më e pasura me fjalë e shenja, që shprehin fitoren mbi vdekjen e mbi
forcat e errëta të së keqes. Është shpresa që u ofrohet të gjithë atyre që besojnë
në Zotin e Kryqëzuar e të Ngjallur. E Shtuna e Madhe është ditë lutjeje
e agjërimi, jo si pendesë, por si pritje e dëshirë për bukën e vetme që ushqen me
të vërtetë: bukën e të Ringjallurit. Nata e Pashkëve dallohet nga e Shtuna
e bën pjesë në ditën e Pashkëve; është festa e vërtetë, është një Natë “nëna e të
gjitha netëve”. Katër janë simbolet e liturgjisë së natës së Pashkëve, e
cila kremton ringjalljen e Zotit: drita, fjala, uji dhe buka. Të gjitha shpjegohen
me mënyrat me të cilat Jezusi e ka paraqitur veten: Jezusi është drita e botës, është
fjala e fundit e Atit. Është uji që shuan etjen e përtërin, është buka e jetës. Nata
e Pashkëve na bën të hyjmë në plotësinë e misterit të tij: na bën të takojmë Jezusin
si i Ringjalluri, i Gjalli, Ai që, duke na treguar fytyrën e vërtetë të Atit, mund
të na mbushë me gëzim e shpresë. Nata e Pashkëve është rrënja e çdo shprese dhe e
kuptimit të krishterë të jetës. Kush ndjek Jezusin për jetë, kush ka jetuar në ditët
e mëparshme solidaritetin në dhimbje, tani mund të jetojë me gëzim festën. Nëse gjatë
Krezhmëve kemi reflektuar mbi peshën e mëkateve e mbi rrezikun e dështimit në jetë,
këtu fillon shpresa për një ndihmë nga lart, që i jep vlerë ekzistencës, megjithëse
në mes të errësirës e dhimbjes. Bashkësive të krishtera, Nata e Pashkëve duhet t’u
japë guximin për ta dëshmuar këtë shpresë, guximin për ta arësyetuar shpresën e jetës,
që mbajnë në zemër. T’u japë aftësinë për të ndërmarrë impenjime e iniciativa, që
i thonë botës sa e mbushur me të ardhme e me mundësi pozitive është feja në Jezusin. E
tani të përshkruajmë e të përshkojmë sëbashku ritet e simbolet liturgjike të Natës
së Shenjtë të Pashkëve Litugjia e dritës
Çasti
i parë i Natës së Pashkëve e përqëndron vëmendjen mbi dritën: zjarri i ndezur në errësirë
kujton Shpirtin dhe ngrohtësinë e Zotit, forcën e tij ripërtëritëse, por edhe dashurinë
njerëzore, që i jep ngrohtësi e kuptim jetës. Imazhi i qiriut në procesion drejt
kishës e thërret popullin e besimtarëve të ndjekë Jezusin, dritën e botës. Qiriu që
jep dritë duke u konsumuar, si Jezusi, u thotë të krishterëve se askush nuk mund të
jetë dritë për të tjerët, pa flijuar e hequr dorë nga vetvetja. Do të ishim të kënaqur
nëse nga sakrificat tona të vogla, të tjerët të përfitonin ngrohtësi e jetë. Për disa
aspekte, bota është akoma e zhytur në errësirë. Lajmi i Mirë i Pashkëve nuk mund
të mbetet vetëm një himn fjalësh të bukura. Kulti i vërtetë i të krishterit është
jeta e tij. Liturgjia e Fjalës
Liturgjia
ofron mundësinë e shumë leximeve: zgjedhja e të gjithave ose vetëm e disave prej tyre
duhet të japë sensin e një historie të përshkuar nga iniciativa e Zotit. Fjala bëhet
histori e përgatitet të presë Jezu Krishtin. Fjala është në fillim të krijimit,
nëpërmjet të cilit Zoti dhuron të qenit, pra i jep kuptim gjithçkaje ekziston. Në
veçanti, krijon njeriun në përngjasim me Të, duke vendosur tek ai farën e një prirjeje
të natyrshme drejt Krijuesit të vet. Fjala e Zotit udhëheq rrugën e çlirimit e
të rithemelimit të popullit, që bëhet popull i Zotit nëpërmjet mundit e kërkimit,
gabimit e kthimit drejt Zotit. Deri tek Ungjilli i shën Markut, ku tregimi i grave
që gjejnë varrin e Jezusit bosh e çon besimtarin tek Ai, që nuk duhet kërkuar ndër
të vdekurit, tek i Gjalli, që duhet takuar në historinë e përditshme. Liturgjia e Pagëzimit Është çasti që na çon tek jeta e re e marrë përmes
Pagëzimit: është pra momenti-kujtesë i ngjarjes themelore të qenies sonë si Kishë.
Përtëritja e impenjimeve, që të tjerët i kanë marrë për ne në momentin e Pagëzimit
do të thotë një vetëdije e re për përgjegjësinë tonë në histori. Liturgjia eukaristike
Eukaristia e Natës së Pashkëve është një
“akt falenderimi” krejt i veçantë: “Pashkët ishin momenti në të cilin e pati fillesën
Eukaristia e vërtetë! Prandaj edhe misteri i natës së Pashkëve përqëndrohet tek Eukaristia,
të cilën Krishti nuk e paraqet i vetëm, por sëbashku me Kishën e vet. Ajo merr pjesë
në Eukaristinë e tij, që përuron solemnitetin e madh të Rrëshajve, në të cilat bashkësia
e krishterë e shëlbuar falenderon Atin sëbashku me Birin”.
Kremtimi i Natës
së Pashkëve nuk duhet të përfundojë para mesnatës, “sepse duhet të presim deri në
atë çast të saktë kthimin e Hyjit”. Ajo Natë është e mbushur me misterin e pritjes.
Qiriu qëndron pranë ambonit, i cili përfaqëson Varrin bosh. Ai është simbol i të Ringjallurit.
Gratë që në mëngjes herët, shkojnë te varri për ta mbështjellë “trupin e vdekur” të
Jezusit me një vaj të përmortshëm gjejnë Fjalën e ngjallur. Nata e Pashkëve kremton
krejt Misterin e festës e në çdo pjesë të saj kryhet kalimi nga vdekja në jetë. Kulmi
i Natës është Eukaristia: bukë e të Ngjallurit për bashkësinë e vet.