2009-04-11 19:53:00

Reflektim i Atë Federiko Lombardit: ‘Njerëzit e Zoti’.


(11.04.2009 RV)Është e katërta herë që Benedikti XVI kremton Triditëshin e Pashkëve, kulm i Vitit liturgjik, duke i ofruar Kishës dhe botës reflektime shumë të pasura: tekste që meritojnë vëmendje të posaçme. Të dëgjojmë editorialin e Atë Federiko Lombardit për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:

 
“Detyra e parë, e cila qëndron mbi të gjitha të tjerat, është që Hyji të bëhet i pranishëm në këtë botë e t’i hapen njerëzve rrugët drejt Hyjit. E jo çfarëdo Hyji, por Hyjit, fytyrën e të cilit e njohim përmes dashurisë së shprehur deri në fund të fundit në Jezu Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur”. Për Papën kjo është pika qëndrore e papnisë, siç e kujtoi në Letrën e pasionuar, drejtuar kohëve të fundit ipeshkvijve të mbarë botës.
Është e natyrshme, sepse pa këtë nuk mund të ketë Kishë. E në këto ditë qendrore të vitit liturgjik, kjo duket më qartë se kurrë, sepse pikërisht këtu – falë lutjes së Kishës – ndihmohemi për ta takuar Hyjin, përmes Jezu Krishtit, që vdes e ringjallet.
Nga ana e tij, Benedikti XVI impenjohet me fund, në homelitë e Javës së Madhe, për të bërë që të gjithë të marrin pjesë gjallërisht në kremtime e t’ua zbulojnë më thellë kuptimin. Teologji, përshpirtëri, nxitje për dëshmim në jetën e krishterë, të gjitha këto janë të pranishme në fjalët e tij, me një sintezë të dendur, të kthjellët e tërheqëse. Është karizmë e tij e veçantë. Meriton admirimin tonë e vëmendjen, jo vetëm të besimtarëve, por të të gjithë njerëzve që kërkojnë çiltërsisht të vërtetën, kërkojnë Hyjin. Që nga fjalët drejtuar të rinjve të Dielën e Larit, tek ato meshtarëve në Meshën e Bagmit, të gjithë besmitarëve në Darkën e mbrame dhe në në Natën pa gjumë, e të gjithë njerëzve në Mesazhin e Pashkëve. Nuk ka njeri, kudo jeton e punon e as ngjarje – edhe më tragjikja, si tërmeti – që të mos gjejë në fjalët e Papës kuptimin e saj e shtegun e shpresës, përmes dashurisë së Hyjit, i cili dëftohet në Krishtin. Ta dëgjojmë me të vërtetë fjalën e Papës! Ia vlen!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.