2009-04-10 15:12:36

Mesazh i Benediktit XVI me rastin e salikimeve solemne në Akuila.


(10.04.2009 RV)Benedikti XVI dërgoi një mesazh me rastin e salikimeve solemne të viktimave të tërmetit në Abruco, kryesuar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, në Akuila. Mesazhin e lexoi sekretari i posaçëm i Papës, imzot Georg Gänswein.
Në këto orë dramatike – shkruan Papa – në të cilat një tragjedi e pafund tronditi këtë tokë, ndjehem shpirtërisht pranë, mes jush, për të marrë pjesë në ankthin tuaj, duke e lutur Zotin t’u japë pushimin e pasosur të vdekurve, shërim të shpejtë të plagosurve, guxim të gjithëve, që të vijojnë të shpresojnë e të mos i lëshojë zemra. I kërkova sekretarit tim të Shtetit të vijë e ta kryesojë këtë kremtim liturgjik të jashtëzakonshëm, në të cilin bashkësia e krishterë do të mblidhet rreth të vdekurve të vet për t’u dhënë lamtumirën e fundit.
Në çaste si këto – vijon Papa – burim drite e shprese mbetet feja, e cila pikërisht këto ditë na flet për vuajtjen e Birit të Zotit, që u bë njeri për ne: mundimet e tij, vdekja e tij, ringjallja e tij qofshin për ne të gjithë burim ngushëllimi e ia hapshin zemrën secilit për të kundruar atë jetë, në të cilën “nuk do të ketë më vdekje, as zi, as vaj, as ofshame, as ankth,[sepse] bota e mëparshme mori fund” (Zb 21,4).
Jam i sigurtë – vijon Ati i Shenjtë në mesazh – se me impenjimin e të gjithëve do të bëhet e mundur të përballohen menjëherë nevojat më të domosdoshme. Tërmeti i fuqishëm krijoi një situatë tepër të vështirë. I ndoqa zhvillimet e fenomenit shkatërrimtar që nga lëkundja e parë e tërmetit, që u ndje edhe në Vatikan, e vërejta me kënaqësi valën e solidaritetit, falë së cilës nisën të organizohen me sukses ndihmat e para, për vijuar më pas me aksionin gjithnjë më të thellë si të Shtetit, ashtu edhe të institucioneve kishtare e të privatëve.
Selia e Shenjtë do të bëjë pjesën e vet – thekson Ati i Shenjtë – së bashku me famullitë, me institutet rregulltare e lëvizjet laikale. Ky është çast impenjimi, në përkim me organizmat e Shtetit, që tashmë po punojnë në mënyrë të lavdërueshme. Vetëm solidariteti mund të ndihmojë për të kapërcyer prova kaq të dhimbshme.
Në përfundim të mesazhit shkruhet: “Ia besoj Virgjërës Mari njerëzit e familjet, që po vuajnë nga kjo tragjedi e, me ndërmjetësimin e saj amtar, i kërkoj Zotit të terë çdo lot e të lehtësojë çdo plagë, ndërsa i jap secilit një bekim të posaçëm, ngushëllues, apostolik”.







All the contents on this site are copyrighted ©.