2009-04-10 18:07:10

Kardinali Bertone gjatë salikimeve në Akuila: Krishti i kryqëzuar e shndërroftë këtë vdekje në dashuri!


(10.04.2009 RV)Dyqind e pesë arkivole – nga dyqind e tetëdhjetë e nëntë të vdekur – vendosur në katër radhë: është kjo pamja tejet prekëse, që kishte Sheshi i Akuilës ku sot, në orën 11. 00, u kremtuan salikimet shtetërore të viktimave të tërmetit në Abruco. Kremtimin, në emër të Papës, e kryesoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, në bashkëkremtim me sekretarin e posaçëm të Papës, imzot Georg Gänswein; me kryeipeshkvin e Akuilës, Gjuzepe Molinari, me 18 ipeshkvij përfaqësues të dioqezave abruceze e të krahinave të ndryshme italiane e me shumë priftërinj e rregulltarë nga të katër anët e Italisë. Të pranishëm në salikime, autoritetet më të larta italiane, nga Presidenti i Republikës, Xhorxho Napolitano, tek kryeministri, Silvio Berluskoni e përfaqësues të tjerë të lartë të shtetit e të politikës.
Dy orë para fillimit, salikimet e kishin tashmë ikonën e dhimbjes së pangushëllueshme: një arkivol mogani, në radhë me të tjerët e, mbi të, një tjetër, i vogël, një arkëz e bardhë; pas saj edhe katër të tjera, katër arkivole fëmijësh, mbi ose pranë nënave të tyre, në atë përqafim të fundit. U vendosën kështu, për të zevendësuar, në kontaktin e mbramë, përqafimet e përkëdheljet që morën fund për gjithmonë në orën 3. 32 të një nate, e cila ktheu në gërmadhë jo vetëm një mori ndërtesash, por edhe zemrat e atyre që mbeten gjallë, për të parë këtë radhë arkivolesh, brenda të cilëve- gjithçka kishin më të dashur.
“Këto pesë arkivole, më shumë se çdo gjë tjetër, janë enigma e padeshifrueshme e vdekjes” - janë fjalët me të cilat e nisi homelinë kardinali Bertone, i cili e shikoi këtë ngjarje si prelud të së Premtes së Madhe dhe e ndoqi një shtegtim kaq tragjik shpirtëror, me delikatesë e respekt. Ashtu si në çastin kur i Kryqëzuari e ndjen veten të braktisur mbi Kalvar, pohoi:
“Zoti mund të duket sikur mungon, dhimbja mund të duket forcë brutale pa pikën e kuptimit, sytë, errësuar nga lotët, të duken sikur errësojnë edhe rrezet e diellit e të pranverës. E pra pikërisht atëherë, kur nga zemra shkëputet pyetja: “Ku është Zoti yt?”, ndjejmë në thellësi të shpirtit sigurinë e ndërhyrjes plot dashuri të Hyjit”.
Një pyetje e një siguri, që thyejnë heshtjen, e cila rëndoi dymijë vjet më parë mbi Golgotë e vijon edhe sot, mbi shumë kalvare, të cilët ua mbushin sytë me lot e ua coptojnë shpirtin atyre, që rrijnë pranë trupave pa jetë të të dashurve, që i ledhatojnë, u pëshpërisin mijëra fjalë të thëna të pathëna. Në heshtjen e vdekjes, prania e Zotit – pohoi kardinali Bertone - bëhet pishtar i vërtetë shprese.
Ashtu si Papa në mesazhin e tij, edhe sekretari i Shtetit të Vatikanit vuri theksin mbi vlerat e solidaritetit e të vëllazërisë që – pohoi - mbarë Italia, simbolikisht e bashkuar me viktimat e kësaj drame, dëshmoi edhe një herë se i zotëron në thellësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.