2009-04-10 13:39:37

E Premtja e Madhe e Pashkëve


(10.04.2009 RV)Kjo është e vetmja ditë e jetës së Krishtit, për të cilën mund të flasim hollësisht, duke nisur nga agimi, në muzg. Dhimbje mbi dhimbje. Në zemër e në korp të Njeriut-Zot. E butësi e pafundme, njëheresh me egërsinë e pushtetit të terrinave, mizorinë e njeriut e misterin e mëkatit. Duam, por s’mund t’i shkojmë pranë. Mundemi vetëm të numrojmë hallkat e vargoit të ngjarjeve e të shikojmë me sytë tanë sa shtrenjt i kushtoi Jezusit dashuria e sa pak u kuptua dhurimi i tij.
Zhgënjimin e parë atë natë e provon nga dishepujt. Ishin me të deri vonë, i panë gjestet e mrekullueshme që kreu, i dëgjuan fjalët tejet të larta, që tha. Ndërsa tani, kur ai, i vetmuar, ndodhet ballpërballë me misterin e fatit të vet e djerset gjak nga tmerri, dishepujt flejnë. Nuk janë në gjendje të dhurojnë tjetër, veç trupit të raskapitur nga lodhja, e gjumit. Vetëm tradhtari nuk fle, e s’fle as banda e tij. I prin urrejtja e shfrenuar e lakmia pa fre. Shtrin duart për një përqafim të turpshëm e buzët, për një puthje tradhtare! Simbole të të gjitha përqafimeve të rreme e puthjeve, që ngjasin më shumë me kafshime!
Po Krishti nuk e ka në mend të kundërshtojë. Dhuron vetveten: Jam unë! – thotë e dorëzohet pa fjalë. Juda nuk është fare i nevojshëm. Mëkati është i kotë.
Por gjithsesi mbetet i dhunshëm e i urryer: Jezusin e lidhin dhe e heqin zvarë si keqbërës, ndërsa dishepujt ia mbathin këmbëve nga frika e pjesëmarrjes në rrenimin e tij. E ku vajti gjithë ajo dashuri për Mësuesin? “Jemi gati të mbyllemi në burg e të vdesim për ty”- patën bërtitur ndonjë orë më parë. E ja ç’bëjnë tani! Ua grahin këmbëve, kush e kush të ikë më shpejt. Të tjerët, armiqtë, zjejnë nga urrejtja!
Janë krerë të popullit, deputetë në shërbim të Hyjit. Në emër të Zotit, s’e kanë fare për gjë të kryejnë krimin: Ai blasfemoi, duhet të vdesë! Por përballë sundimtarit romak e akuzojnë të burgosurin e tyre si keqbërës e kundërshtar politik, sepse ata s’e çajnë fare kokën, kur është fjala për të mbrojtur të vërtetën e drejtësinë. Duan ta shikojnë një orë e më parë të vdekur! E ngulin këmbë! E fitojnë mbi ndërgjegjen e brishtë të Pilatit. E detyrojnë të koprometohet e ta zëvendësojë vendimin e drejtë, me të shtrembërin: Krishti poshtërohet, fshikullohet me kamzhik, kurorëzohet me ferra, zë vendin e një vrasësi, dënohet me vdekje!
“Ibis ad crucem”, ‘Do të kryqëzohesh”, shqipton sundimtari. Çuditet nga vetja e nga ky njeri i jashtëzakonshëm. Ecce homo! – Ja njeriu! pati bërtitur duke ia paraqitur popullit maskën e përgjakur të Krishtit, me shpresë se do ta mëshironte. Ndërsa mëshira kthehet në urrejtje. Ecce homo!
O Hyj, na jep hirin që fytyra e martirizuar e Krishtit ta ndriçojë zemrën tonë, të përhumbur nga një dëshirë e thellë: shndërroje tmerrin, që na shkakton dënimi i tij, në neveri për mëkatin.
Ecce homo! Mbi këtë njeri ngulen edhe sytë e Nënës, të Madalenës, të Gjonit, të miqve të tjerë. Nuk dinë ç’të thonë, nuk janë të zotët t’i kundërvihen mbrapshtisë të së keqes; kanë forcë vetëm ta shoqërojnë plot dhimbje në udhën e tij të tmerrshme drejt Kalvarit, në Udhën e tij të lemerishme të Kryqit!
Ja: po e merr mbi supe drurin e martirizimit e vihet për rrugë, duke u lëkundur. I kapitur nga humbja e gjakut, nga mungesa e ushqimit, nga poshtërimet, nga mohimet, nga neveria për mëkatin e përhershëm. Bie. I hapen plagët e shkaktuara nga kamzhiku; ringrihet në këmbë, i sfilitur, i përvëluar nga ethet, i shkrumbuar nga etja, me trupin që i dridhet, ndërmjet ulurimave, kërcënimeve, fishkullimës së kamzhikut. Shumë njerëz të panjohur shtyhen për të soditur dhimbjen e tij. Papritmas, një fytyrë e njohur: është nëna. Asnjëherë më shumë se në këtë çast shpata e parafolur nga Simeoni, nuk e kishte shporuar kaq thellë zemrën e saj. Por i dënuari nuk mund të ndalet. Fati e thërret të vijojë udhën. Duke u rrëzuar e duke u ngritur, për t’u rrëzuar rishtas. Caktojnë një njeri për ndihmë, një Cireneas, që të mos i shpëtojë, duke vdekur, vdekjes që i kanë përgatitur në majë të kodrës!
Gratë vajtojnë gjatë gjithë rrugës së tmerrshme. Veronika ia fshin fytyrën e shpërfytyruar nga gjaku e nga qelbi, e ai, druri i blertë, që dridhet i tëri nga tehu i sopatës, i paralajmëron bijat e Jeruzalemit e të gjithë ne, drurë të brerë nga mëkati, për zemërimin e hakmarrësit.
Tani arrin në majë e shtrin trupin tënd të panjollë mbi dru, o Krisht, që flijohesh për ne të pacipët, për turpin tonë; që i lë xhelatët të t’i mbërthejnë me çekan këmbë e duar, të të lartojnë, pastaj, duke t’i dërmuar nerva e muskuj. Biri i Hyjit, mbreti im naltohet mbi fronin e tij! Për mua, për mëkatet e mia! Corpus Christi, salva me! – “Korpi i Krishtit, shpëtomë!”.
Ushtarët i ndajnë petkat tua. S’të mbetet më gjë prej gjëje, Krishti i varfërisë sime e i shpërdorimeve të mia. Më mëso të fitoj mbi lakminë, ta ndihmoj, pa mburrje, njeriun që ka nevojë. Më mëso të mos e bashkoj zërin me korin e armiqve të tu fitimtarë, që ia lejojnë vetes talljen e sarkazmën: “Zbrit nga kryqi, e do të të besojmë!”. Janë britmat e popullit, ditën e kurorëzimit tënd. Ti lutesh: “Fali o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!”.
Jam një prej atyre, për të cilët u lute mbi Kryq. Të falënderoj, o Krisht, që më dhe hirin e pendimit. Si hajduti i mirë, të lutem: Kujtohu për mua! S’ka pikë rëndësie një jetë e mjerë, plot mundime e kompromise. Jam gati të të ndjek, në se do të më thuash: “Do të jesh me mua në Parriz!”. Kërkoj ndërmjetësimin e Nënës sate, në duart e së cilës na lëshove: Grua, ja yt bir!
Të falënderojmë. Do të jemi bijtë e tu, Nënë e Virgjër, në këtë orë të dhimbjes sate. Pranë teje do të dëgjojmë ankimin e fundit të Krishtit: Atë, pse më lëshove dore!? Në të, që pëson këtë vetmi pa fund, do të gjejmë strehë, kur të na braktisin, kur të jemi fillikat. Ti, o Zot, do ta shuash etjen tonë për gëzim; me ty, në jetën tonë pa pikë kuptimi, do të lulëzojnë virtytet. Mos na lësho dore, o Krisht i kryqit tonë, sepse të duam me të njëjtën dashuri që pati për ty Nëna jote në këtë të Premte të Madhe, sepse pranë teje, o i Kryqëzuar, nxëmë çdo ditë, pa u lodhur kurrë, mësimin më të çmuar të dashurisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.