2009-04-09 17:30:36

Papa në Meshën e Darkës së Mbrame:"Na bëj o Zot mjete të paqes tënde"


(09.04.2009 RV)Me Meshën e Darkës së Mbrame, kryesuar nga Papa Benedikti XVI sot pasdite në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran filloi Triditshi i Pashkëve, kulmi i Vitit Liturgjik. Është Mesha, që përkujton themelimin e Eukaristisë nga Jezu Krishti, momentin në të cilin ai paralajmëron se do ta dhurojë vetveten për shëlbimin e njerëzimit. Fjalë si “sot", “duart”, “sytë”, “buka”, “kelku”, karakteristike të liturgjisë së sotme, u përmendën një e nga një nga Papa Racinger, i cili e përqëndroi homelinë në analizën e tyre. Ati i Shenjtë shpjegoi kuptimin e fjalës “sot” në liturgji, e cila bën që tani e këtu, të përsëritet misteri i dhurimit të Korpit e Gjakut të Krishtit për shpërblimin e mëkateve të njerëzimit.
Më pas, Papa analizoi të gjitha fjalët që Jezu Krishti thotë në themelimin e Eukaristisë. Fillimisht lutjen e falenderimin drejtuar Hyjit:
“Zoti Jezus falenderon e me të i kthen Hyjit bukën, “fryt i tokës dhe i punës së njeriut”, për ta marrë sërish nga Ai. Falenderimi bëhet bekim. Ajo që është dhënë në duart e Zotit, kthehet e bekuar dhe e shndërruar prej Tij”.
“Ai mori bukën me duart e tij të shenjta e të nderuara…” thotë më pas liturgjia. Shohim këto duar, tha Papa, që kanë shëruar njerëz, që kanë bekuar fëmijë, që janë gozhduar në Kryq e që përgjithmonë mbajnë shenjën e dashurisë së Krishtit. Tani janë meshtarët, që duhet të marrin në dorë bukën e të thonë lutjen eukaristike për ta shndërruar. E Papa iu lut Zotit, që duart e meshtarëve të jenë të denja për këtë:
“Në Urdhërin meshtarak, duart tona janë shuguruar, që të bëhen duar bekimi. T’i lutemi Zotit që duart tona të shërbejnë gjithnjë e më shumë për të sjellë shpëtim, për të sjellë bekim, për ta bërë të pranishme mirësinë e Hyjit!”
Krishti ngre sytë nga qielli e i drejtohet Atit të Gjithpushtetshëm. Për t’u lutur si duhet, theksoi Benedikti XVI, është e nevojshme të largohemi nga gjërat e kësaj bote e t’i ruajmë sytë:
“Të lutemi që përmes syve të mos hyjë e keqja brenda nesh, duke e falsifikuar e ndyer qënien tonë. Por të lutemi sidomos për të pasur sy, që shohin çdo gjë të vërtetë, të ndritur e të mirë; që të bëhemi të aftë ta shohim praninë e Zotit në botë. Të lutemi, që ta shohim botën me sytë e dashurisë, me sytë e Jezusit, duke njohur kështu vëllezërit e motrat, që kanë nevojë për ne, që presin fjalën e veprimin tonë”.
“Ndarja e bukës” ishte pika tjetër e reflektimit të Atit të Shenjtë për liturgjinë e sotme. Ky është gjesti i atit të familjes, tha Papa, është gjesti i mikpritjes për të huajin që vjen në sofër, por sidomos, është gjesti i shndërrimit të bukës në bashkimin me vetë Hyjin, në Kungimin e Shenjtë. Ky shndërrim dëshiron të jetë fillimi i shndërrimit të botës, që ajo të bëhet bota e ringjalljes, një botë e Zotit. Eukaristia nuk është thjesht një veprim liturgjik. Ajo është “agape”, është bashkim në dashuri, që bëhet e plotë vetëm nëse zbatohet në jetën e përditshme:
“Në kultin e krishterë këto dy gjëra bëhen një – shpërblimi i Zotit në aktin e kultit dhe kulti i dashurisë për të afërmin. I kërkojmë sot Hyjit hirin të mësojmë si ta jetojmë gjithnjë e më mirë misterin e Eukaristisë, që në këtë mënyrë të fillojë shndërrimi i botës”.
Pas bukës, Jezusi merr në dorë kelkun me verë. Kelku do të thotë dasmë, tha Ati i Shenjtë, do të thotë se mbërriti “ora” për të cilën aludonte mistershëm dasma e Kanës. Në fjalët e Jezusit në Darkën e Mbrame, misteri solemn i dasmës fshihet në shprehjen “novum Testamentum”. Ky kelk është Testamenti i ri – “Besëlidhja e re në gjakun tim”, siç na i referon Shën Pali fjalët e Jezusit në leximin e dytë të liturgjisë së sotme. E Benedikti XVI shpjegoi kuptimin e fjalës “besëlidhje”:
“Zoti, Hyji i gjallë bashkohet me ne në paqe, madje ai vendos “një lidhje gjaku” ndërmjet Tij e nesh. Përmes mishërimit të Jezusit, përmes gjakut të tij të derdhur, tërhiqemi brenda një lidhjeje mbretërore gjaku me Jezusin, e pra me Zotin vetë. Gjaku i Jezusit është dashuria e tij, në të cilën jeta hyjnore dhe ajo njerëzore u bënë një gjë e vetme”.
Papa kujtoi se ishte Jezu Krishti ai që, me dëshirë e lirisht, e dhuroi jetën e vet për shëlbimin tonë, e pikërisht në të Enjten e Madhe paralajmëroi vdekjen e ngjalljen e mëvonshme. E këtë jetë e ndan me ne përgjithmonë:
“O Zot, sot Ti na dhuron jetën, na dhuron vetveten. Hy në ne me dashurinë tënde. Na bëj të jetojmë “të sotmen” tënde. Na bëj mjete të paqes tënde. Amen”.
Me këto fjalë përfundoi homelinë e Meshës së Darkës së Mbrame të Jezusit me Apostuj, Papa Benedikti XVI, i cili, sipas traditës, u lau këmbët 12 meshtarëve. Lëmoshët e mbledhura gjatë meshës së sotme do të shkojnë për katolikët e Gazës.







All the contents on this site are copyrighted ©.