Mesha in Coena Domini hap ritet e Triditëshit të Pashkëve.
(09.04.2009 RV)Me kremtimin e Meshës ‘in Coena Domini’ - kremtim i Darkës së
Mbrame të Zotit, kur Jezusi i dhuron Kishës në fasha ‘ilaçin e pavdekësisë”, Eukaristinë.
Gjatë ritit, meshtari, duke përsëritur gjestin e Jezusit, u lan këmbët 12 personave
të bashkësisë së vet kishtare. Në Faqen ungjillore të këtij kremtimi nga Shën
Gjoni, Apostulli, me një gjuhë shumë solemne, tregon sesi Jezusi ua lau këmbët nxënësve
të vet. Është një akt sa profetik, aq edhe simbolik. Me këtë gjest konkret, Jezusi
vë në dukje pikërisht atë që himni i madh kristologjik, Letra drejtuar Filipianëve,
e përshkruan si misterin e Krishtit. Jezusi zhvesh rrobat e lumnisë së vet Hyjnore,
ngjesh ‘leckën’ njerëzore e bëhet skllav. Ua lan këmbët e ndyra dishepujve, duke i
bërë të aftë të hyjnë në gostinë hyjnore në të cilën i fton. Në vend të pastrimeve
të jashtme të kultit, që e lajnë njeriun ritualisht, duke e lënë ashtu siç ishte,
Jezusi na bën të pastërt me fjalën e tij e me dashurinë e tij, me dhurimin e plotë
të vetvetes. E vijon të na lajë me fjalën e tij. Në se e pranojmë këtë fjalë me meditim,
lutje e fe, ajo ngjall në shpirtin tonë forcën pastruese. Ditë për ditë na duket se
na mbulon ndyrësia shumëformëshe, na mbulojnë fjalët boshe, paragjykimet, dija e kufizuar
dhe e tjetërsuar, falsiteti. Gjithë kjo ndyrësi e pushton shpirtin tonë e na krijon
rrezikun të bëhemi të paaftë për të njohur të vërtetën e për të bërë të mirën. Në
se i pranojmë fjalët e Jezusit me zemër të hapur, do ta ndjejmë se janë larje e vërtetë,
pastrim i vërtetë i shpirtit. Ta lemë, pra veten, të lahemi me këtë ujë të pastër,
që na bën të denjë për t’u ulur, së bashku me vëllezërit, në gostinë e madhe të Hyjit.
Kjo ftesë u drejtohet të gjithë krishterëve. Më tej, liturgia na ofron simbolikën
e gjestit të Krishtit, duke theksuar dy aspekte të ndryshme: dhuratën e pastërtisë
dhe detyrën e besimtarit për ta parë Atë si model, për ta bërë këtë dhuratë të vetën,
sepse gjesti i Zotit është: sacramentum ed exemplum: sakrament e shembull, duke pasur
parasysh se fjala sakrament këtu ka kuptimin e vetë të Misterit të Krishtit në tërësinë
e tij, nga mishërimi e deri në kryq e në ngjallje. Kjo tërësi bëhet forcë shëruese,
shenjtëruese, shndërruese: na bën të fillojmë një jetë të re. Gjithsesi ne nuk mbetemi
pasivë, nësa e marrin këtë dhuratë hyjnore: Zoti e shikon secilin nga ne si partner
personal e të gjallë. Dashuria e dhuruar është dinamika e ‘të dashurit së bashku’,
është jetë e re, duke u nisur nga Hyji. Jezusi u thotë dishepujve të vet e të gjithë
neve: “Po ju jap një urdhër të ri: Duajeni njëri-tjetrin! Sikurse unë ju desha ju,
duajeni edhe ju njëri-tjetrin”(Gjn. 13, 34). Urdhëri i ri nuk është normë e re dhe
e vështirë, që deri atëherë nuk ekzistonte: është urdhër për të dashur së bashku me
Atë, që na deshi i pari. Eshtë plot domethënie të komentosh edhe bisedën e Jezusit
me Pjetrin, i cili nuk deshi ta linte Jezusin t’ia lante këmbët, sepse kjo i binte
ndesh konceptit të tij për madhështinë hyjnore. Duhej të kuptonte përsëri e përsëri
se madhështia hyjnore ndryshon nga ideja jonë për madhështinë. Madhështia hyjnore
është përvujtëria e shërbimit, dashuria deri në zhveshjen e plotë të vetvetes. Edhe
ne, si Shën Pjetri duhet ta kuptojmë këtë, duke rifilluar gjithnjë nga e para, sepse
vazhdimisht dëshirojmë zotin e suksesit e jo atë të Mundimeve e sepse nuk jemi në
gjendje ta kuptojmë se Bariu vjen si Qengj që dhurohet e kështu na prin drejt kullotave
të berta. Në se themi që jemi pa mëkat, gënjejmë veten e nuk arrijmë kurrë ta njohim
të Vërtetën. Në se i pranojmë gabimet tona, Ai që është besnik, do të na i falë fajet
e do të na pastrojë nga çdo mëkat.