2009-04-09 15:23:31

Mesha e Bagmit:Papa i dërgon qytetit të Akuilës vajrat e shenjtë. I fton meshtarët të pranojnë dhimbjen e së vërtetës përballë gënjeshtrave të botës.


(09.04.2009 RV)Me Meshën e Darkës së Mbrame, kryesuar nga Papa këtë pasdite në orën 17.30 në Bazilikën e Shën Gjon në Lateran, u hapën tri ditët e Pashkëve, që janë edhe kulmi i gjithë vitit liturgjik. Sot paradite Benedikti XVI kremtoi në Shën Pjetër Meshën Shenjte të Bagmit dhe ritin tradicional të bekimit të vojnave, një sasi e të cilëve do t’i dërgohen zonave ku ra tërmeti i 6 prillit në Abruco:

Vojnat e Bekuara gjatë Meshës së Bagmit në Shën Pjetër janë shenjë afërsie me popullsitë e goditura nga tërmeti, të cilat presin përqafimin e Papës. Dje vetë Benedikti XVI lajmëroi për vizitën e tij të ardhshme në Abruco:

“Vëllait tonë të dashur Imzot Xhuzepe Molinarit, kryeipeshkëv i Akuilës, i cili për arsye të dëmeve të shumta që shkaktoi tërmeti nuk mundet të bashkojë klerin dioçezan për të kremtuar Meshën e Bagmit, dëshiroj t’i dërgoj këto vojra të shenjta në shenjë bashkimi të thellë dhe afërsie shpirtërore. Këto vojna të shenjta e shoqërofshin kohën e rilindjes dhe të rindërtimit duke mbyllur plagët dhe duke ushqyer shpresën.”

Benedikti XVI gjatë homelisë kujtoi edhe kohën pak përpara shugurimit të tij meshtarak, përpara 58 vjetësh. Atë ditë Jozef Racinger, kishte hapur Librin Shenjtë për të lexuar një fjalë nga Zoti, një fjalë që t’i tregonte udhën e tij të ardhshme si meshtar. Shikimi i tij ishte ngulitur tek kjo lutje e Jezusit drejtuar Atit Qiellor: “Shuguroi tek e vërteta; fjala Jote është e vërteta”.
“T’i shugurohesh Zotit – vijoi Benedikti XVI – do të thotë “të ndërrosh pronësi. I hiqesh botës dhe i dhurohesh Zotit”. Por ky nuk është veçim. “Meshtari i hiqet ambienteve mondane dhe i dhurohet Zotit, dhe pikërisht kështu, duke u nisur nga Zoti, ai bëhet i gatshëm për të tjerët, për të gjithë.” Papa u bëri thirrje meshtarëve t’i shqyrtojnë ndërgjegjet dhe t’i bëjnë pyetje vetvetes nëse janë me të vërtetë të bashkuar me Krishtin:

“A jemi përnjimend të mbushur plot me fjalën e Zotit? A është e vërtetë se ajo është ushqimi me të cilin jetojmë, me tepër sesa buka dhe gjërat e kësaj bote? E njohim me të vërtetë këtë fjalë? E duam? A zë vend brenda nesh kjo fjalë deri në atë pikë sa t’i japë formë jetës dhe mendimeve tona? Apo mos është mendimi ynë ai që ndryshon përherë dhe i përshtatet atyre që thuhen dhe që bëhen? A nuk janë vallë mendimet që mbizotërojnë në shoqëri, kriteret me të cilat ne masim vetveten? E në fund të fundit a nuk ndalemi ndoshta tek ajo që është e sipërfaqshme dhe që zakonisht i imponohet njeriut të sotëm? A e lejojmë Fjalën e Zotit të na dlirë shpirtin?”

Më pas Papa Racinger citoi filozofin gjerman Fridrih Niçe i cili “u tallte me përvujtërinë dhe me bindjen si virtyte servile, nëpërmjet të cilave njerëzit u nënshtrokan”:

“Në vend të tyre Niçja vinte krenarinë dhe lirinë absolute të njeriut. Tash, e dimë se ekzistojnë disa karikatura të një përvujtërie të gabuar dhe të një nënshtrimi të gabuar, të cilat nuk duam t’i imitojmë. Por ekziston edhe mendjemadhësia shkatërrimtare dhe fodullëku, të cilat shpërbëjnë çdo bashkësi dhe përfundojnë në dhunë. A dimë ne të mësojmë nga Krishti përvujtërinë e drejtë, që i përgjigjet të vërtetës së qenies sonë, dhe bindjen që i nënshtrohet së vërtetës, vullnetit të Zotit?”

“Bashkimi me Krishtin – vijoi më pas Benedikti XVI në homelinë e tij – nënkupton heqjen dorë nga diçkaja.” Meshtari nuk ndjek më vetveten, vullnetin e tij, vetërealizimin e tij, por nëpërmjet uratës zhytet tek e vërteta dhe shenjtëria e Zotit, duke u bërë “një korp dhe një shpirt i vetëm me Krishtin”:

“Kjo do të thotë për ne se duhet të pranojmë edhe karakterin kërkues të së vërtetës: t’i kundërvihemi gënjeshtrës si në gjërat e mëdha ashtu edhe në ato të vogla, që është e pranishme në një mënyrë kaq të larmishme nëpër botë; ta pranojmë lodhjen e së vërtetës, sepse gëzimi i saj më i madh është i pranishëm tek ne. Kur flasim për shugurim tek e vërteta, nuk duhet të harrojmë as se tek Jezu Krishti e vërteta dhe dashuria janë një gjë e vetme. Të jesh i zhytur tek Ai do të thotë të zhytesh tek mirësia e tij, tek dashuria e vërtetë”.

“Dashuria e vërtetë – përfundoi Ati i Shenjtë – nuk shitet lirë, mundet që të jetë edhe shumë kërkuese. I kundërvihet së keqes për ta drejtuar njeriun tek e mira e vërtetë. Nëse bëhemi një gjë e vetme me Krishtin, do të mësojmë TA dallojmë pikërisht tek të varfërit, tek ata që vuajnë, tek të vegjëlit e kësaj bote.”







All the contents on this site are copyrighted ©.