Domethënia e gjestit të larjes së këmbëve, ç’e shtyn Jezusin t’u lajë këmbët Apostujve?
(09.4.2009 RV)Papa pasdite, në 17. 30, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran
në Romë do të hapë kremtimet e Triditshit të Pashkëve me Meshën in Cena Domini (Meshën
e Darkës së Mbrame të Jezusit me Apostujt). Gjatë ritit të larjes së këmbëve, asambleja
do të ftohet të bëjë një gjest bamirësie për nevojtarët. Por, cila është domethënia
e gjestit të larjes së këmbëve, ç’e shtyn Jezusin t’u lajë këmbët Apostujve? Përgjigje:
- Dashuria. Jezusi u thotë Apostujve: “E shikoni ç’po bëj për ju? Në se unë, Mësuesi,
po laj këmbët tuaja, edhe ju duhet t’ua lani këmbët të tjerëve”. Sot ne, në jetën
tonë shoqërore, nuk ia lajmë kujt këmbët, por ama mund ta zvendësojmë këtë gjest me
gjeste të tjera: mund t’i urojmë tjetrit mirëseardhjen, mund ta përqafojmë, ta puthim…
Tek ne, në Nigeri, sa vjen miku, i bëjmë gati ujin për të larë duart e pastaj i japim
një arrë kokosi, si shenjë e mirëseardhjes. Në çdo rast, larja e këmbëve ka qenë simbol
i dashurisë për të tjerët: Jezusi bën një gjest përvujtërie; Ai Mësuesi, gjunjëzohet
për t’u larë këmbët Apostujve, meshtarëve të tij të parë, duke u dhënë vetë i pari
shembullin për të ecur në këtë rrugë. Kjo lidhet ngushtë me Eukaristinë. Shën Gjoni
Ungjilltar nuk tregon si u themelua Eukaristia, por flet për larjen e këmbëve. E bën
këtë, sepse dashuria dhe Eukaristia lidhen ngushtë: Deus caritas est – Zoti është
dashuri! Pyetje: - Të Enjten e Madhe kremtojmë themelimin e Eukaristisë: duhet
të dalë më në pah aspekti i flijimit, apo i darkës - në këtë Meshë? Përgjigje:
- Të dy. Eukaristia si flijim, është dhuarata që i bën Jezusi Atit, duke lëshuar në
duart e Tij gjithë vetveten e njëkohësisht, lidhja e ngushtë e Zotit me Kishën. Ja
pse flijimi eukaristik është burimi e kulmi e maja më e lartë e kultit të krishterë.
Në këtë flijim Jezusi na dhurohet ne, në Kungimin Shenjt. Prandaj Mesha është e tëra
akt i adhurimit të Hyjit, akt lavdërimi e falënderimi; e Jezusi, pastaj, si shpërblim,
na jep Korpin e Gjakun e vet. Kush i ndan këto dy përmasa, bën keq, sepse Jezusi na
ka thënë: Ja Korpi im që do të flijohet për ju; merrni e hani të gjithë prej këtij:
është një unitet. Marrja e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit bëhet gjatë flijimit; pa
Meshë nuk ka Kungim të Shenjtë: është qartë?