2009-04-08 17:41:01

Mesazhi i Patrikut latin të Jeruzalemit për Javën e Madhe.


(08.04.2009 RV)RealAudioMP3 Nxitje për shpresë e përtëritje shpirtërore, drejtuar gjithë të krishterëve: ky, përmbledhtas, është thelbi i mesazhit të Pashkëve që Patriku latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tual, u drejton të gjithë besimtarëve të krishterë nga vendi ku lindi, predikoi, u mundua, vdiq në kryq e u ngjall Jezu Krishti. Në tekstin e gjatë të mesazhit, Tual përkujton ngjarjet kryesore të Javës së Madhe. Niset nga e Diela e Larit, për të shkuar deri tek Pashkët e ringjalljes, duke i ftuar besimtarët të përpiqen me të gjitha forcat për t’i ngjarë Krishtit.
Të duket sikur je para një skene teatri, kur lexon mesazhin e imzot Tual. Pesë paragrafët e tij janë si pesë skena të një tragjedie, që paraqet pesë ngjarjet kryesore të Javës së Madhe: të Dielën e Larit, të Enjten, të Premten e të Shtunën e Madhe, pas së cilës tonet tragjike i lëshojnë vendin gëzimit të ngjalljes së Zotit, të Dielën e Pashkëve.
Por imzot Tual na kujton edhe se nuk është fjala për ngjarje historike, të cilat i rikujtojmë çdo vit, pa u prekur nga drama, që luhet para syve tanë. Jo, nuk është kështu, sepse të krishterët janë aktorë të kësaj drame e marrin pjesë në misterin e shëlbimit, që kryhet në shpirtrat e tyre. Gjatë Javës së Madhe – shkruan Patriku i Jeruzalemit – Zoti na jep hirin t’i rijetojmë ngjarjet e shëlbimit: në Krishtin e me Krishtin, kalojmë nga vdekja në jetë, zhvishemi nga njeriu i vjetër, për t’iu riveshur me të riun. Kjo Javë është përmbledhje e gjithë jetës sonë të krishterë!
I fton, prandaj, besimtarët, të mos i shkëpusin kurrë sytë nga Krishti, nga Ai që e prek dhe e shndërron shpirtin njerëzor. Duhet ta kuptojmë, pra, se Jezusi është Mesia i amshuar, Shëlbuesi i njerëzimit, se qëndron mbi të gjitha strukturat tona politike, mbi grindjet e përçarjet tona, se është i Gjithëpushtetshmi, që përmbushi veprën e shëlbimit, e cila u duhet kumtuar papushim të gjithë njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.