2009-04-08 17:21:30

Java e Madhe në Vatikan


(08.04.2009 RV)Ritet liturgjike të Javës së Shenjtë na çojnë në zemrën e misterit të Shpëtimit, pra në qendrën e planit shëlbues, përmes të cilit Zoti deshi ta shpëtojë njerëzimin.
Çdo kremtim – me fjalët, gjestet, heshtjet, imazhet, muzikën e këngët – ka si qëllim të na drejtojë në kundrimin e dhimbshëm të misterit të mjerimit njerëzor, që ndriçohet nga misteri i mëshirës pa fund të Shpëtimtarit: vetëm në Krishtin e ngjallur së vdekurish, Rruga, e Vërteta dhe Jeta, gjen dritë misteri i njeriut. Gjithçka bën të duket bukuria e fytyrës së Zotit, tiparet e së cilës janë e Vërteta dhe Dashuria, e Vërteta që është Dashuri: “i dua deri në fund”- thotë Hyji.
Nga kundrimi shkojmë në jetën e përditshme: sepse vështrimi i kujdesshëm mbi misterin e shpëtimit është autentik në masën që secili përjeton, çdo ditë, kalimin nga mëkati në hir, nga qënia larg Zotit në afërsinë me Hyjin, nga mediokriteti në shenjtëri.
Për hir të kremtimit liturgjik, misteri i Mundimeve, Vdekjes dhe Ngjalljes së Zotit nuk është vetëm një fakt i historisë së kaluar, por është edhe një ngjarje për të sotmen e çdo njeriu, në të cilën gjithkush mund të ngjyejë bukën për të pasur si dhuratë Jetën.
E ja çastet kulmore të kremtimeve liturgjike që na presin:

Të Enjten e Madhe, më 9 prill, Papa Benedikti XVI do të bashkëkremtojë me kardinajt, ipeshkvijtë dhe meshtarët e Romës, Meshën e Bagmit në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. 1600 rregulltarë e meshtarë të Dioqezës së Romës e të Kolegjeve Romake do të rinovojnë premtimet meshtarake.
Po të enjten, në orën 17.30, Ati i Shenjtë do të shkojë në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran e do të kryesojë kremtimin e Meshës së Darkës së Mbrame, me larjen e këmbëve të 12 meshtarëve. Lëmoshët e mbledhura me këtë rast do të shkojnë për bashkësinë katolike të Gazës. Në përfundim të kremtimit, i Shenjtnueshmi Sakrament kalon në një Kapelë anësore, ku do të bëhet më pas adhurimi i Eukaristisë.
Të Premten e Madhe, më 10 prill, në orën 17, në Bazilikën e Vatikanit, Ati i Shenjtë do të kryesojë Liturgjinë e Fjalës, Adhurimin e Kryqit dhe Ritin e Kungimit. Është kremtimi i Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krisht. Në orën 21.15, do të fillojë Udha e Kryqit në Koloseum, sivjet me meditimet e një ipeshkvi indian.
E Diela e Pashkëve do të paraprihet nga pritja e së shtunës, në orën 21, në Bazilikën e Vatikanit. Benedikti XVI do të bekojë zjarrin e ri në portat e Bazilikës e pas hyrjes në procesion me Qiriun e Pashkëve dhe me këngën “Exsultet”, do të kryesojë Liturgjinë e Fjalës, Liturgjinë e Pagëzimit dhe Liturgjinë Eukaristike.
Në ditën e shenjtë të Pashkëve, ditë e ringjalljes së Jezu Krishtit, Papa do ta kremtojë meshën në orën 10.15 në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit. Nga llozha qendrore e saj do të japë bekimin “Urbi et Orbi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.