2009-04-08 17:40:46

Benedikti XVI të dëmtuarve nga tërmeti: do të vij t’ju takoj shumë shpejt.


(08.04.2009 RV)Nuk jeni vetëm! Papa është me ju! Në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI, thellësisht i emocionuar, u shprehu afërsinë e vet popullsive abruceze, të dëmtuara rëndë nga tërmeti dhe njoftoi se do të shkojë për vizitë në Akuila sa më shpejt që të jetë e mundur. Papa i siguroi të dëmtuarit se lutet për ta dhe i inkurajoi të gjithë njerëzit, që po japin ndihmesën e tyre për të lehtësuar vuajtjen, atje ku tërmeti vijon të lëkundë gjithçka, nën këmbët e njerëzve të tmerruar.
Abruci, i tronditur thellë nga tërmeti, është në zemrën e Papës, i cili shpreson se do të mund të shkojë së shpejti për të vizituar popullsitë e dëmtuara nga kjo fatkeqësi e madhe. Në audiencën e përgjithshme Benedikti XVI rikujtoi se është shpirtërisht shumë pranë bashkësisë së dashur të Akuilës dhe viseve të tjera të prekura nga lëkundjet e tokës, që shkaktuan vdekje e shkatërrime.
Edhe një herë dëshiroj t’u them këtyre popullsive të dashura se Papa ndan me ta vuajtjet e shqetësimet. Të dashur, shpresoj të vij sa më shpejt për t’ju takuar. Ta dini se Papa lutet për të gjithë, duke i kërkuar Zotit mëshirën për të vdekurit e ngushëllimin amëtar të Marisë për familjarët e të humburit si dhe ndihmën e shpresës së krishterë për të gjithë”.
Zelli me të cilin autoritetet, forcat e rendit, vullnetarët e punonjësit e tjerë po ndihmojnë vëllezërit tanë - vijoi Papa – dëshmon sa i rëndësishëm është solidariteti për të kapërcyer së bashku prova të tilla kaq të dhimbshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.