2009-04-07 15:31:08

Komunikatë e Konferencave Ipeshkvnore Evropiane mbi tërmetin në Abruco.


(07.04.2009 RV)Presidenti i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane kard. Peter Erdo, kryeipeshkëv i Estergom- Budapestit, dha sot një komunikatë për shtyp në të cilën shprehu hidhërimin dhe trishtimin e të gjitha konferencave ipeshkvnore evropiane për ngjarjen tragjike të tërmetit që goditi zonën e Akuilës:

“Ndërsa vëzhgojmë me pikëllim dhe trishtim forcën shkatërruese të tërmetit që shkakoi dëme në njerëz dhe në materiale që goditi provincën e Akuilës, dëshiroj t’ju siguroj edhe në emër të kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, lutjet e mia për popullsitë që u përfshinë në këtë ngjarje tragjike.
Në këtë situatë të dhimbshme dhe të mbushur me vuajtje, Europa është e thirrur të jetë shenjë shprese për ata persona që mbrenda pak minutash humbën jo vetëm frytet e sakrificave dhe të mundimeve të një jete të tërë, por edhe dashurinë e një të afërmi, të një miku, të një fqinji, të një kolegu të punës. Ndërsa i ftoj ata që u goditën nga kjo fatkeqësi të mos e humbasin shpresën, i bëj thirrje atyre që kanë mundësi në Europë të japin një shenjë konkrete inkurajimi dhe afërsie dhe ta bëjnë këtë pa hezitim, qoftë edhe nëpërmjet një kontributi ekonomik sipas mënyrave të parashikuara nga institucionet kishtare e civile që kanë këto detyra.”







All the contents on this site are copyrighted ©.