2009-04-07 17:37:56

Kisha Italiane mbledh fonde për të dëmtuarit nga tërmeti në Akuila


(07.04.2009 RV)RealAudioMP3 Edhe Kisha akuilane u godit rëndë nga tërmeti. Shumë kisha e famulli, dikur vepra arti, janë shkatërruar ose kanë pësuar shumë dëme. Vetë kryeipeshkvi i Akuilës është ndër të pastrehët. Kisha italiane po mobilizohet për t’u qëndruar pranë të dëmtuarve. Të dëgjojmë kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Italisë, imzot Anxhelo Banjasko:
Para së gjithash, Karitasi kombëtar, i lidhur me Karitaset rajonale, ka dhënë disa numra llogarish për ndihmat. Përveç kësaj, si ipeshkvij kemi menduar për një mbledhje fondesh të jashtëzakonshme në nivel kombëtar. Për këtë do të destinohen lëmoshët e dioqezave italiane në të dielën e parë pas Pashkëve.
Hirësi, dëmet e shumë kishave në Abruc janë të mëdha. Cilat janë lajmet e fundit që keni?
Situata është katastrofike edhe nën këtë profil. Selia ipeshkvnore e Akuilës është dëmtuar shumë, ashtu si edhe ndërtesa të tjera kulti, simbole për fenë e për artin. Por di edhe se meshtarët tanë po mobilizohen për të reaguar me atë energji që vjen nga feja, me atë bujari që karakterizon jetën e tyre.
Kjo fatkeqësi në Abruc ndodhi në fillim të Javës së Madhe të Pashkëve, çast i veçantë i bashkësisë fetare. Përmes Kishës, si mund t’u kthehet njerëzve ajo ndjenjë e besimit tek bashkësia, që në këtë moment është e frikësuar dhe e shpërndarë në territor?
Kremtimi i së Premtes së Madhe këtë vit do të ndihet veçanërisht, prikërisht sepse në dritën e së Premtes së Madhe, të Mundimeve e të vdekjes së Zotit, do të mendojmë edhe për mundimet e për këto vdekje. Përsa i përket këtyre ditëve kaq të rëndësishme, kryeipeshkvi dhe meshtarët do të kremtojnë si të munden ritet e shenjta. Pastaj, për të ardhmen, në planin praktik, do të rindërtohet çdo gjë që mund të rindërtohet. Por sidomos, duhet rikrijuar besimi në zemrat e njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.