2009-04-06 17:36:19

Tërmet i fortë në Abruco të Italisë. Viktima e dëme në Akuila e rrethina.Solidaritet nga e gjithë bota.


(06.04.2009 RV)RealAudioMP3 Ishte ora 3.32 e natës së djeshme, kur toka u lëkund përsëri në Abruco, pas tërmeteve më të vogla të ditëve të kaluara. Kësaj radhe, 5,8 gradë të shkallës Rihter. Qytetarët e Akuilës dhe të fshatrave përreth dolën menjëherë në rrugë, por kjo nuk e pengoi shembjen e ndërtesave. Me kalimin e orëve, bilanci i viktimave, që e ka kaluar shifrën 90, bëhet gjithnjë e më i rëndë e, edhe më të shumtë janë të plagosurit e të pastrehët. Ka filluar menjëherë ndërhyrja e Mbrojtjes Civile. Kreu i saj, Bertolazo e ka quajtur këtë tërmet “tragjedinë më të madhe italiane të Mijëvjeçarit të ri”.
Papa lutet për viktimat e tërmetit dhe inkurajon operacionet e ndihmës. Në një telegram, të nënshkruar nga sekretari i Shtetit, kardinali Tarçizio Bertone, drejtuar kryeipeshkvit të Akuilës, imzot Xhuzepe Molinari, Ati i Shenjtë shpreh pjesëmarrjen e tij në dhimbjen e popullsisë së goditur nga ngjarja tragjike. Lajmi dramatik, lexohet në telegram, e mbushi me mallëngjim shpirtin e Papës. Duke siguruar lutjet më të zjarrta për viktimat, në veçanti për fëmijët, Papa i kërkon Zotit ngushëllim për familjarët dhe u jep guxim të gjithë atyre që po merren me operacionin e ndihmës. Në fund, Benedikti XVI u jep të gjithëve Bekimin e tij apostolik.
Flitet për shqiptarë në mesin e viktimave, por deri tani asgjë nuk dihet saktë. Qeveria e Tiranës dhe presidenti i Republikës kanë dërguar ngushëllimet e tyre dhe kanë caktuar një fond simbolik prej 50 mijë eurosh në ndihmë të personave të goditur nga tërmeti.
Në linjën e parë të frontit për të ndihmuar besimtarët edhe Karitasi italian dhe dioqeza e Akuilës, pavarësisht se viktima ka edhe në mesin e rregulltarëve e shumë kisha janë dëmtuar. Të dëgjojmë dëshminë e kryeipeshkvit Xhuzepe Molinari, selia e të cilit është dëmtuar rëndë:
Gjatë këtyre ditëve jemi lutur e kemi sjellë shtatoren e Shën Emidit, i cili në Akuila është mbrojtësi kundër tërmeteve. Në atë rast, përsërita se duhet t’ia besojmë veten Zotit, sepse është Ai që ka në dorë historinë e secilit prej nesh, di gjithçka, e citova edhe fjalët që thotë Jezusi: “Fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara e asnjë nuk bie pa vullnetin e Atit qiellor”. Është momenti të besojmë vërtet në këto fjalë e t’ia besojmë veten krejtësisht Zotit. Nuk na mbetet tjetër. Pastaj sigurisht, edhe unë do t’i këshilloj të gjithë të ndjekin me vëmendje direktivat e Mbrojtjes Civile, të bëjnë gjithçka është e mundur për të parandaluar rreziqe të tjera, për të na siguruar. Por, në thelb, mbetet besimi i plotë te Zoti. Falenderoj të gjithë ata që na kanë treguar e do të na tregojnë solidaritetin e tyre konkret. Ka filluar gara e solidaritetit e kjo na jep kënaqësi. I falenderoj të gjithë. Sidomos Mbrojtjen Civile.
Imzot Molinari, dioqeza e Akuilës ka pësuar shumë dëme. Cilat janë lajmet që keni?
Fatkeqësisht po, kishat shumë të bukura të qendrës, Kolemaxho, Shën Silvestri, Shën Maria Paganika, katedralja dhe kisha të tjera afër Akuilës kanë pësuar dëme të mëdha.
E ngjashme, dhimbja që ndihet në zona të tjera të Abrucit. Ipeshkvi i Avecanos, Pietro Santoro përshkruan në mikrofonin tonë gjendjen e qytetit dhe gatishmërinë për t’u dhënë strehë të gjithë atyre që kanë mbetur pa shtëpi në zonën e epiqendrës së tërmetit:
Natyrisht që lëkundjet u dëgjuan fort gjatë natës edhe këtu në Avecano. Duhet pasur parasysh se Avecano është zonë sizmike. Të mos harrojmë se në vitin 1915 është shkatërruar krejtësisht – si Avecano, ashtu edhe Marsika – me 30 mijë viktima. Përsa i përket dioqezës sime, po hapim një kanal për të pritur të pastrehët, pasi në provincën e Akuilës nata është shumë e ftohtë, prandaj jemi në kontakt me Mbrojtjen Civile për gjithçka mund të shërbejë. Është moment dhimbjeje të madhe. Megjithatë, shpresën e kemi në zemër të gjithë. E sidomos Kisha dëshiron ta marrë përsipër këtë situatë, duke ecur brenda vuajtjes së popullit.
Dioqeza e Avecanos mund të mirëpresë pra, të pastrehët e këtij tërmeti?
Po kërkojmë kanale për ta komunikuar këtë, por është moment konfuzioni. Ne hapim zemrat e strukturat, duke pasur parasysh se edhe këtu kemi ndërtesa të dëmtuara. Edhe selia ipeshkvnore e Avecanos ka probleme.







All the contents on this site are copyrighted ©.