2009-04-06 17:40:15

Presidenti amerikan Obama në Turqi, mbështet hyrjen e Ankarasë në Bashkimin Evropian. “Nuk jemi në luftë me Islamin”.


(06.04.2009 RV)Veçanërisht e rëndësishme etapa turke e udhëtimit të presidentit amerikan Barak Obama në Evropë, në kuadrin e mbledhjes SHBA-Bashkim Evropian, pas asaj të Pragës, ku dje premtoi një botë pa armë bërthamore.
Në një konferencë shtypi të ndjekur me vëmendje të madhe, Obama deklaroi se Uashingtoni mbështet integrimin e Turqisë në Bashkimin Evropian. Ankaraja, shtoi presidenti amerikan, “është e lidhur me Evropën me më shumë ura se ajo e Bosforit. Evropa përfiton nga diversiteti i etnive, traditave dhe fesë e nuk humb. Hyrja e Turqisë s’do të bëjë tjetër veçse do t’ia forcojë asaj më shumë bazat”.
I qartë edhe për tema të tjera, Barak Obama theksoi se Amerika nuk është në luftë me Islamin. Do t’i dëgjojmë myslimanët e do të përpiqemi t’i zgjidhim problemet me ta, tha ai. Do t’i respektojmë edhe kur nuk jemi dakord e do ta vlerësojmë fenë myslimane, që ka bërë aq shumë për ta përmirësuar botën në shekuj.
Përsa i përket Lindjes së Mesme, presidenti amerikan përsëriti qëndrimin e Uashingtonit për dy shtete të ndara, njëri izraelit e tjetri palestinez, që jetojnë në paqe e harmoni. E këshilloi Turqinë të bëjë ç’është e mundur për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike me Armeninë, por nuk u tregua aq i butë me Iranin. Krerët e Republikës islamike, tha ai, duhet të zgjedhin: të ndërtojnë ose armë bërthamore, ose një të ardhme më të mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.