2009-04-06 17:40:53

Në Irak vriten 4 të krishterë.


(06.04.2009 RV)Rikthehet frika në Irak, ku 4 të krishterë u vranë të mërkurën e të enjten e kaluar, gjatë kremtimeve të vitit të ri asir. Vrasjet, e bëra me paramendim, e tronditën shumë pakicën e krishterë e cila, kohët e fundit, kishte nisur ta ndjente veten disi më të sigurt. Bagdadi e Kirkuku janë skenat e vrasjeve. Një vazhdë gjaku - shkruhet në gazetën italiane ‘Avvenire’ - që përkon me festimin e kryevitit të bashkësisë asire, kur shumë familje mblidhen për ta kaluar ditën së bashku. Autorët e vrasjeve, bërë me paramendim, nuk njihen akoma, ndërsa të krishterët rifillojnë ta ndjejnë veten të rrethuar nga pritat, që i rikujtojnë se mbijetesa e tyre në Vendin e Gjirit, nuk do të jetë aspak e lehtë edhe në të ardhmen.
Kohët e fundit situata në frontin e sigurisë ishte në përmirësim e sipër, gjë që e vuri në dukje edhe kryeipeshkvi i Kirkukut, imzot Lui Sako, pa harruar të kujtojë viktimat e krishtera në Irak: 750 të vdekur në pesë vjet. Vrasja e re nxjerr në plan të parë frikën e ‘spastrimit etniko-fetar”, që shoqatat e krishtera e kanë denoncuar më se një herë dhe vë në rrezik rikthimin e refugjatëve irakianë.







All the contents on this site are copyrighted ©.