Dy fjalë për domethënien e Javës së Madhe të Pashkëve
(06.04.2009 RV)Java, që i paraprin Pashkëve, qysh nga kohët më të lashta quhet
Java e Shenjtë. E vërtetojnë këtë shkrimet e Shën Atanazit, që jetoi në shekullin
IV. Në Lindje kjo javë quhej “e Madhe”. E kështu quhet prej shekujsh edhe në Shqipëri.
Quhej e vijon të quhet ‘e Madhe’ – na shpjegon Shën Gjon Gojarti – jo pse
ka më shumë ditë sesa javët e tjera, as pse i ka ditët më të gjata, por pse në këtë
javë Zoti kreu gjestet më të larta”. Duhet sqaruar se në zanafillë, e ndoshta
që nga kohët apostolike, kremtoheshin vetëm e Premtja dhe e Shtuna” ‘ditë në
të cilat – siç vëren Tertuliani – Kishës ia morën dhëndrrin”. Gjatë këtyre
dy ditëve besimtarët agjëronin më shumë se ditëve të tjera e, në shenjë zije, nuk
shkëmbehej puthja e paqes. Kremtimi përfundonte me të Dielën e Pashkëve. Kremtohej
kështu Triditshja e Pashkëve, nga e premtja, tek e diela. Në shekullin IV
nisën të kremtohen në formë historike ngjarjet e Ungjillit, posaçërisht themelimi
i Eukaristisë, të enjten. Ky kremtim shënoi një risi në Triditshen e Pashkëve, që
nuk zgjatej më nga e premtja tek e diela, por nga e enjtja, tek e shtuna. Më pas u
shtua edhe një ditë tjetër, e mërkura, në kujtim të vendimit që morën judenjtë për
ta mbytur Krishtin. Më pas, herë pas here, u shtuan edhe e hëna dhe e marta, aq sa
tek Shën Atanazi gjejmë porosinë për të agjëruar në mënyrë të posaçme në këto gjashtë
ditë shenjte e të mëdha. Kjo nuk do të thotë se që në shekullin IV të gjitha ditët
e Javës së Madhe patën, në këndvështrimin liturgjik, rëndësinë që morën më pas e që
e kanë edhe sot e kësaj dite. Në Lindje ndiqeshin nga populli e nderoheshin shumë
më tepër se gjetiu. Kemi dëshmi të lashta për kremtimet e veçanta të Kishës së Jeruzalemit.
Në Viset e Shenjta, përplot me kujtime tronditëse, nisin të kremtohen liturgji të
posaçme, të cilat më pas, pak nga pak, përhapen në perëndim, duke arritur edhe në
Romë. Në Qytetin e Amshuar përveç kremtimit të Eukaristisë, të Enjten e Madhe u
shtua edhe rrëfimi i pendestarëve si dhe bekimi i Vajrave shenjte. Gjithnjë në Romë,
të hënën e të martën, nisi të kremtohej një liturgji e posaçme, e porositur nga Papa
Hilari, në shekullin V. Të premten e të shtunën, në Romë e në vise tDom Ndue Bytyqi
tjera, nuk u lejua asnjëherë kremtimi eukaristik. Ritet që kremtohen sot të
Premten e Madhe – adhurimi i Kryqit e Mesha e të parashenjtëruarve - hynë në liturgjinë
romake rreth shekullit VII; e ata të së Shtunës së Madhe, dhe më vonë. Mund të
themi se Liturgjia romake e Javës së Madhe duke u kremtuar në shekuj, bëri të vetat
shumë rite me zanafillë të ndryshme, por edhe ruajti me kujdesin më të madh ritet
e lashtësisë së vet. Nga dokumentet që vijnë deri në ditët tona prej lashtësisë
së krishterë, përveç përshkrimit të mirëfilltë të kremtimit liturgjik, gjejmë edhe
frymën e fesë që gjallëronte bashkësinë, e cila i jetonte ngjarjet liturgjike si pjesë
përbërëse të jetës shoqërore. Perandorët e krishterë, që nga shekulli IV, për të
lehtësuar mbajtjen e agjërimit dhe ndjekjen e funksioneve liturgjike të kësaj Jave,
siguruan me ligj mundësinë e pushimit për shërbëtorët si dhe ndërprerjen e gjyqeve
civile e penale. E një praktikë e tillë vijoi për disa shekuj, si në Lindje, ashtu
edhe në Perëndim. Neve, që jetojmë në epokën e shekullarizuar, nuk na vjen keq vetëm
për humbjen e disa dokeve e zakoneve njerëzore, të cilat mund të shlyhen lehtësisht.
Për ne e për njerëzit e të gjitha epokave ka rëndësi nderimi i thellë e përshpirtëria,
që na bëjnë ta jetojmë, në lutje e pendesë, misterin e shpërblimit tonë.