2009-04-05 15:00:20

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(05.04.2009 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e Larit e të Mundimeve të Krishtit. Po sot kalendari kishtar përkujton shën Irenën, virgjër e shën Vinçenc Ferrerin.
Nesër, e hënë, fillon Java e Madhe: kremtohet, pra, e Hëna e Madhe. Këtë ditë Kisha përkujton edhe shën Pjetrin nga Verona.
E Hëna e Madhe, dita e parë e Javës së Madhe na fton të reflektojmë mbi ngjarjet e fundit të jetës së Jezusit, deri në ditën e Pashkëve. Ashtu si Maria në Betani, ftohemi ta nderojmë, me erën e mirë të uratës, Mësuesin që vjen të vizitojë shpirtin tonë e t’i japë jetë.


Kremtojmë pastaj të Martën e Madhe. Është nata e tradhtisë së Judës dhe e tronditjes së thellë të Apostujve, nata kur Gjoni mbështet kokën mbi kraharorin e Mësuesit e Pjetri e mohon. Por sidomos, është nata që pasqyron plotësisht dashurinë e Zotit për njeriun. Të martën përkujtohet edhe Shën Gjon Pagëzuesi de la Salle.
 
Të Mërkurën e Madhe dëgjojmë përsëri pyetjen tragjike të tradhtarit, që vijon të jehojë në rrjedhë shekujsh: “Thua jam unë, o Zot?”. Është një pyetje e tmerrshme që na trondit e na bën të reflektojmë thellë edhe sot. Thua jam unë tradhtari? Nga kalendari kishtar të mërkurën do të përkujtohet edhe Shën Amanci.


Liturgjia e Fjalës së Hyjit, që do të ndjekim të Enjten e Madhe, na kujton se kelku i Zotit është dhuratë shëlbuese. Kremtojmë Darkën e Mbrame të Krishtit, të Qengjit që flijohet për shëlbimin tonë. Gjaku i tij lan flligështitë tona e lidh besën e re, përfundimtare, me Zotin. Të ndalemi për ta adhuruar Sakramentin e dashurisë “deri në fund të fundit”.
Përkujtohet të enjten edhe Shën Dhimitri e Shën Valtruda.
 
Të Premten e Madhe në kujtesën e njerëzimit përsëritet fjala e fundit e Njeriut-Zot që vdes në kryq: “Në duart tua, o Atë, po e lëshoj shpirtin tim!”. Ndjekim, këtë ditë, në lutje, mundimet dhe vdekjen e Krishtit, njeriut të dhimbjeve, njeriut të butë, të shpërfytyruar nga torturat e i afrohemi me besim kryqit të tij, si fronit të hireve.
E premtja na kujton edhe Shën Magdalenën e Kanosës.


Varri i Jezusit është zhytur në heshtje të thellë. Eshtë heshtja e së Shtunës së Madhe. Zemra jonë përgatitet për të kremtuar me gëzim Ngjalljen, Pashkët e Zotit. Kalendari kishtar përkujton edhe Shën Stanisllaun e Shën Xhemën Galgani.


Vjen pastaj e Diela kulmore e vitit: e Diela e Pashkëve të ngjalljes së Krishtit Zot.








All the contents on this site are copyrighted ©.