2009-04-05 17:56:28

Benedikti XVI në Meshën e së Dielës së Larit: sakrificat për hir të dashurisë së Zotit e bëjnë jetën më të vërtetë. Papa bekoi kryqin e DBR-së dhe bëri thirrje kundër minave antinjeri e për emigrantët viktima të tragjedive në det.


(05.04.2009 RV)RealAudioMP3 E vërteta e krishterimit thotë se sa më shumë njerëzit heqin dorë nga gjërat e kësaj botë për hir të dashurisë së Zotit, aq më e pasur bëhet jeta. Më këtë mësim, të cilin e ka provuar disa herë në jetë, Benedikti XVI përfundoi sot paradite Meshën solemne të së Dielës së Larit në Sheshin e Shën Pjetrit, mbushur përplot me besimtarë. Ndërsa, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë bëri dy thirrje: për nënshkrimin e Konventës që ndalon minat kundër njeriut dhe për një impenjim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare për t’u dhënë fund tragjedive të emigrantëve në det. Papa bekoi edhe Kryqin e Ditëve Botërore të Rinisë, i cili kaloi nga të rinjtë austrialianë në ata spanjollë, që do të organizojnë takimin e njohur në Madrid, në vitin 2011. Të dëgjojmë gazetarin tonë në kremtim, Aleksandër De Karolis:
Udhëtime shpresash, që shuhen në valët e një deti, mbi të cilin lundrojnë njerëz të dëshpëruar. Persona, sidomos fëmijë, të gjymtuar nga mizoria e armëve të padukshme e çnjerëzore, si minat kundër njeriut apo bombat copëtuese. Dy drama që shkulën nga kraharori i Papës një britmë dhimbjeje, në ditën kur Kisha fillon Javën e Madhe duke përjetuar dhimbjen supreme të Krishtit, shuarjen e “hosanave” të palmave në tmerrin e Golgotës. Kalim që u simbolizua, pikërisht në Ditën e 24-t Botërore të Rinisë, me Kryqin që shkoi nga dora në dorë, nga një i ri tek tjetri.
E në mesin e sheshit mbushur me të rinj, në mes të parrullave e degëve të ullirit në duart e mijëra besimtarëve, Benedikti XVI kaloi në këmbë, në krye të Procesionit sugjestiv të së Dielës së Larit, duke kujtuar pak minuta më pas, në homeli, thelbin e atij shtegtimi, që bëri Krishti duke hyrë në Jeruzalem, vërtet mbi samarin e gomarit, por si Zot i një Mbretërie të re:
“Qëllimi i vërtetë i shtegtimit duhet të jetë takimi me Zotin; adhurimi i Tij… Të dashur miq, për këtë jemi mbledhur këtu: Duam të shohim Jezusin. Për këtë qëllim, vitin që kaloi, mijëra të rinj shkuan në Sidnei. Sigurisht, kanë pritur shumë gjëra nga ai shtegtim. Por objektivi thelbësor ishte ky: Duam të shohim Jezusin”.
Karakteristikat e Mbretërisë së Krishtit, tha Papa, janë dy: katoliciteti (pra vërtetësia) dhe universaliteti. Kjo mbretëri nuk mbështetet mbi ndonjë pushtet politik, por vetëm në pranimin e lirë për hir të dashurisë së Hyjit. Universaliteti, shtoi Ati i Shenjtë, është gjithnjë heqje dorë nga vetvetja. Universaliteti e kryqi shkojnë bashkë. Vetëm kështu arrihet paqja. E këto, vërejti më tej, do të mbeteshin vetëm parime shpirtërore, nëse njeriu nuk do të ishte në gjendje t’i thoshte “po” Zotit, të vihej në dispozicion të tij. E këtu, Papa vuri në dukje një të vërtetë, që mentaliteti bashkëkohor e lë shpesh mënjanë:
“Jetës së shenjtë i takon edhe sakrifica, heqja dorë. Kush premton një jetë pa këtë dhuratë të vetvetes, gënjen njerëzit. Nuk ekziston një jetë e vërtetë, pa sakrifica. Nëse hedh një vështrim mbrapa në jetën time personale, duhet të them se pikërisht momentet kur kam thënë “po” për të hequr dorë nga ndonjë gjë, kanë qenë çastet më të mëdha e më të rëndësishme të jetës”.
Edhe Jezusi diti t’i ofrojë Zotit “po”-në e tij, duke kapërcyer “terrorin nga mundimet” që e prisnin:
“Edhe ne mund të ankohemi para Zotit si Jobi, duke i paraqitur të gjitha pyetjet, që na lindin para padrejtësive të botës e vështirësive tona. Para Tij nuk duhet të fshihemi pas frazave gjoja të përvujta, në një botë të rreme. Lutja do të thotë gjithnjë edhe luftë me Zotin, e si Jakobi mund T’i themi: ‘Nuk të lë, derisa të më bekosh!”
Një rrethanë që na mëson si të krishterë, që vullnesa e Zotit është gjithnjë më e rëndësishme e më e vërtetë se e jona, tha Papa, se vullnesa e tij është e vërteta dhe dashuria. Benedikti XVI iu drejtua të rinjve, që pastaj do të kalonin dorë më dorë Kryqin e Ditëve Botërore të Rinisë:
“Sa më shumë që për hir të dashurisë për të vërtetën dhe për dashurinë e madhe – për dashurinë ndaj së vërtetës e për dashurinë e Zotit – mund të heqim dorë nga ndonjë gjë, aq më madhështore e më e pasur na bëhet jeta. Kush dëshiron ta ruajë jetën për vete, e humbet. Kush e dhuron jetën – përditë, në gjeste të vogla, pjesë e vendimeve të mëdha – ai e gjen. Kjo është e vërteta kërkuese, por edhe thellësisht e bukur e çliruese, në të cilën duam të hyjmë hap pas hapi, gjatë rrugës së Kryqit mespërmes kontinenteve”.
Në shtatë gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI përshëndeti në fund të Lutjes së Engjëllit të Tënzot, besimtarët e shumtë, por më parë iu drejtua qeverive të gjithë botës me dy thirrje të fuqishme. 10 vjet pas hyrjes në fuqi të Konventës për ndalimin e minave kundër njeriut e pas gatishmërisë së kohëve të fundit për nënshkrimin e konventës për ndalimin e bombave copëtuese, Papa theksoi:
“Dëshiroj t’i inkurajoj vendet që nuk e kanë bërë akoma, të nënshkruajnë pa vonesë këto mjete të rëndësishme të së drejtës humanitare ndërkombëtare, të cilat Selia e Shenjtë i ka mbështetur gjithnjë. Shpreh gjithashtu përkrahjen time për çdo masë, që synon garantimin e asistencës së nevojshme për viktimat e këtyre armëve të shfarosjes”.
Më pas, Benedikti XVI foli për udhëtimet e mijëra emigrantëve të Afrikës drejt Evropës, udhëtime që shpesh përfundojnë keq, siç u ndodhi javës së kaluar rreth 200 emigrantëve, të cilët u mbytën në Mesdhe. Papa bëri thirrje që Bashkimi Evropian dhe vendet afrikane të marrin masa urgjente me karakter humanitar, për të penguar trafikun e paskrupullt të njerëzve:
“Ndërsa lutem për viktimat, që Zoti t’i presë në paqen e vet, dua të vërej se ky problem, i rënduar më tej nga kriza globale, do të gjejë zgjidhje vetëm kur popullsitë afrikane, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, do të dalin nga mjerimi e luftrat”.
Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI i la hapësirë Ditës së 24-të Botërore të Rinisë, e cila sivjet u festua në nivelin dioqezan. Përshëndeti të rinjtë nga Australia e nga Spanja, të cilët bënë ceremoninë e dorëzimit të Kryqit, në një kalim simbolik në duart e rinisë spanjolle, që shpreh falenderimin për frytet e takimit të Sidnejt dhe lutjen për mbarëvajtjen e atij të Madridit në vitin 2011.







All the contents on this site are copyrighted ©.