2009-04-04 16:42:08

Sot u përkujtua Shën Isidori i Siviljes.


(04.04.2009 RV)I fundmi i Etërve latinë, Shën Isidori i Siviljes (560-636) njihet kryesisht për veprën ‘Etimologie’, përmbledhje e gjithë shkencës së lashtë, që ndikoi fuqimisht mbi kulturën mesjetare. Por nuk duhet harruar se qe edhe ipeshkëv tejet i zellshëm, që luajti një rol të dorës së parë në edukimin kulturor e moral të klerit spanjoll. Për këtë qëllim themeloi një kolegj kishtar, paratip i seminareve të ardhshme, ku kalonte një pjesë të mirë të ditës duke u dhënë mësim kandidatëve për rrugën e meshtarisë. Familje për t’u marrë si shembull, e tija, me origjinë nga Kartagjena. Pati dy vëllezër: Fulgjencin e Leandron, të dy ipeshkvij e shenjtorë, e një motër, Fiorentinën, rregulltare e shenjtore. Leandri, vëllai i madh, qe kujdestar e mësues i Isidorit, mbetur jetim në moshë të njomë. Më pas do t’i lëshonte edhe vendin në drejtimin e dioqezës së Siviljes.
Dijetari i ardhshëm i Kishës, autor i një numri të pafund librash, që merren me të gjitha disiplinat e dijes njerëzore: që nga agronomia tek mjekësia, nga teologjia tek ekonomia shtëpijake, në vogëli qe nxënës i pazellshëm, që përtonte të rrinte ditë-natë mbi libra. I pëlqente shumë më tepër të ikte nga shkolla e të bridhte rrugëve. Një ditë, si u ndalua pranë një pusi për të shuar etjen, pa se litarët kishin lënë gjurmë të thella mbi gurë, duke tërhequr me vite kovën. E kuptoi se edhe njeriu mund të lërë gjurmë në kohë, duke punuar me vite e vite. E iu vu punës. U bë një nga dashuronjësit më të mëdhenj të librit, enciklopedisti më i njohur i mesjetës. La, kështu gjurmë mbi letër, mbi mendje e mbi zemra. Kur kryesoi Koncilin e rëndësishëm të Toledos (633), njihej si mësuesi më madh i Evropës mesjetare dhe si organizatori i parë i kulturës së krishterë. Një gojëdhënë tregon se, kur ishte vetëm një muajsh, një luzmë bletësh ia rrethoi djepin e i lëshoi mbi buzë një pikë mjalti, si urim për mësimet që do të delnin një ditë nga ato buzë.
Falë dijes, së pandarë nga përvujtëria dhe dashuria e krishterë, meritoi plotësisht titullin ‘Dijetar i shkëlqyer’ dhe aureolën e Shenjtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.