(04.04.2009 RV)Siç është traditë, në të Dielën e Larit, Sheshi i Shën Pjetrit
do të mbushet me degë të gërshetuara palmash, të cilat vijnë nga komunat e Bordigerës
dhe San Remos, në Itali. Ardhja e palmave në Vatikan nga Riviera e Luleve është një
privilegj i lashtë, që i ka fillesat në vitin 1586, kur Papa Siksti V vendosi të falenderonte
në këtë mënyrë sanremezin Kapedan Brenska. Tradita tregon se me britmën provencale
“Aiga ae corde!” (Ujë litarëve) Breska ndërpreu heshtjen e detyrueshme gjatë ngritjes
së obeliskut në Sheshin e Shën Pjetrit. Me këtë britmë, sanremezi nuk lejoi ngrohjen
e skajshme të litarëve, që u përdorën për të ngritur monolitin, duke shmangur rënien
e obeliskut e pra, edhe masakrimin e mundshëm të besimtarëve, që kishin ardhur të
shumtë për të marrë pjesë në ngjarje. Obelisku egjiptian, i sjellë në Romë nga
perandori Kaligola në vitin 39 pas Krishtit, u vendos në Sheshin e Shën Pjetrit nga
arkitekti Domeniko Fontana, i urdhëruar nga Papa Siksti V. Operacioni nuk ishte i
lehtë. Obelisku, që zbukuron edhe sot e kësaj ditë sheshin, është 26 metra i lartë
dhe peshon 350 ton. Për ta ngritur, u impenjuan 900 punëtorë, 140 kuaj dhe 44 argane
(lloj vinçi). Më 10 shtator, ditën e ngritjes së obeliskut, kushdo që do të fliste
gjatë këtij operacioni të vështirë, do të dënohej me vdekje. Por, në një moment, obelisku
u lëkund rrezikshëm dhe litarët, që e mbanin, gati po këputeshin. Kapiteni sanremez
Breska, pa marrë parasysh dënimin me vdekje që e priste, bërtiti: “Hidhuni ujë litarëve”.
Këshilla e marinarit u zbatua atypëraty nga inxhinjerët e Vatikanit, duke shpëtuar
kështu obeliskun dhe njerëzit e grumbulluar. Papa nuk e dënoi kapitenin, por e falenderoi
duke i dhënë atij dhe pasardhësve të drejtën për të sjellë në Romë degët e gërshetuara
të palmave për festat e Pashkëve në Shën Pjetër. Që atëherë, për katër shekuj
me radhë, Sanremo dhe Bordigera janë pazgjidhshmërisht të lidhura me ceremonitë e
së Dielës së Larit në Vatikan. Kur degët e palmave vinin në Romë nga deti, me të arritur
në lumin Tiber, që përshkon Romën nga fillimi në fund, anija vendoste një palmë të
gërshetuar në direkun e majstrës. Ky lloj flamuri i jepte anijes ligure të drejtën
për të parakaluar të gjitha të tjerat, duke bërë që palmat të arrinin sa më shpejt
në Vatikan. Degët e gërshetuara të palmave që do t’u jepen kardinajve dhe ipeshkvijve
këtë vit, do të jenë 1 m e gjysëm të larta, ndërsa për Atin e Shenjtë, palma do të
jetë 3 metra. Zbukurimi i Sheshit të Shën Pjetrit më ullinj ofrohet sivjet nga Rajoni
i Puljes, ndërsa degët e ullirit që bekohen e që merren pastaj nga besimtarët janë
të Vilave Papnore në Kastel Gandolfo.