(04.04.2009 RV)Përkujtojmë 55-vjetorin e vdekjes së Atë Karl Serreqit, martir
i rrëfimit shenjt, një nga të dyzetë të rënët për çështjen e Krishtit nën tehun e
shpatës së diktaturës komuniste, çështja dioqezane e beatifikimit të të cilëve vijon.
Të gjithë ata që e pranojnë Jezu Krishtin dhe Ungjillin e tij, janë të ndërgjegjshëm
se tjetër shpërblim në këtë tokë s'kanë për të pasur, veç Kryqit. E megjithatë, me
miliona njerëz e pranojnë vullnetarisht Kryqin e Golgotën. Ashtu si Mësuesi. Në emër
të dritës, të amshimit! Ngarkuar rëndë me kryqin e Krishtit eci për 20 shekuj
krishtërimi në tokën shqiptare, që Ungjillin e pranoi së pari nga vetë Shën Pali Apostull,
duke filluar kështu edhe martirizimin në emër të Lajmit të Mirë. Të parët u martirizuan
nga paganët romakë, por gjaku i tyre u bë farë për të krishterë të rinj! U dogjën
e u poqën, më pas, prej turqve, por një çetë trimash nuk pranoi, as për para e as
për rytbe, ta ndërronte kryqin me gjysëm hënën e qeleshen me çallmë. Falë këtyre njerëzve,
katolicizmi mbijetoi në trojet shqiptare. Falë qëndrueshmërisë e besnikërisë shumshekullore
ndaj Kryqit, mundi të përballojë edhe tramundanën shkatrrimtare, komunizmin ateist. Këtë
e vërteton mrekullisht historia e familjes së vjetër shkodrane të Kolë Serreqit, që
i dha fesë katolike martirë e dishmitarë feje. Kjo familje ishte një nga më të
vjetrat e më të njohurat e Shkodrës. Një shekull e gjysëm më parë, rreth vatrës së
saj u rritën Dom Pal e Dom Lazër Serreqi, që zhvilluan një veprimtari të shquar fetare
e atdhetare, në kohën kur kjo veprimtari paguhej me kokë. Si iu kundërvunë disa herë
urdhërave të Vezirit të Shkodrës, ai i burgosi në bimsat e errta të kështjellës "Rozafat"
dhe i dënoi me vdekje. Familja dha gjithë pasurinë - arka të mbushura me rrushpe
ari - për t'i shpëtuar dy meshtarët. Ia doli mbanesh të shpëtonte vetëm njërin. Tjetrit
iu pre koka gjatë një ceremonie, që tronditi të madh e të vogël. Ishte shfaqje, e
cila jepej për t'i tmerruar të gjithë ata, të cilët i gjunjëzoheshin vetëm Atij,
që vdiq në Kryq për shëlbimin e të nëpërkëmburve. Gjithsesi Veziri i Shkodrës
u tregua më i njerëzishëm se oficerët mizorë të sigurimit komunist: ia dorëzoi trupin
pa kokë familjes. Atëherë shtëpia e moçme karakeristike shkodrane e Serreqëve bëri
një gjëmë që s' ishte dëgjuar kurrë e që rrënqethi deri gurët: vajtoi një trup pa
kokë, veshur me petka elteri! Kjo familje, si vazhdimësi tradite, do të përkundte,
do të rriste në fe, në dashuri e në besnikëri të patronditshme ndaj Krishtit një tjetër
figurë të ndritur të katolicizmit shqiptar, fratin françeskan Atë Karl Serreqi, të
cilin sot po e përkujtojmë në 55 vjetorin e vdekjes. Lindi në Shkodër më 1911.
Në pagëzim iu dha emni Ndoc. Ishte dali i tretë që i shtohej familjes së Kol Serreqit,
mbas Angjelinit, që për arsye të jetës së tij të devoçme u njoh në Shkodër me emrin
Lin Shenjti, dhe Çeskut, që do ta kalonte një pjesë të mirë të jetës në burgun komunist. Mësimet
e para dhe të mesme Atë Karli i kreu në shkollën françeskane të Shkodrës. Studimet
teologjike në Itali, në Studio Teologico Francescano. U shugurua më 29 shtator
1936 dhe me 30 qeshor të këtij viti, çoi meshën e parë në Peshia, pranë Montecatinit,
në Itali. U kthye nga dheu i huaj meshtar, 25 vjeç, plot zell e dëshirë për të
përhapur dritën e Ungjillit në bjeshkët shqiptare, ku katolicizmi i bëri ballë 500
vjet presionit islamik. U caktua së pari famullitár në Nikaj e Mertur (Curraj i Epër,
Berishë, Raaj) ku shërbeu 10 vjet, deri më 1946. Me 9 tetor 1946, ngarkuar me pranga,
u zvarrit në kuvendin e fretëve, kthyer në burg të tmerrshëm. Në malet ku shërbente
si famullitar Atë Karli, ishte plagosur për vdekje një malësor, në ndeshje me forcat
e ndjekjes. Familja vrapoi te frati e i kërkoi t'i jepte të plagosurit sakramentet
e fundme. Atë Karli e kreu me shpejtësi detyrën: e rrëfeu, e kungoi e e vojoi të plagosurin,
që dergjej në pyll. Në këtë kohë Dukagjini ishte nën kontrollin e rreptë të komunistëve.
Qe kohë zjarri, gjaku, kobi. Malet shqiptare vijonin t'i kundërviheshin diktaturës
e nuk dorëzoheshin. Kontrollet komuniste e akuzuan fratin e ëmbël, të butë, të thjeshtë,
që s'njihte politikë tjetër veç Kryqit të Krishtit, se kishte vojuar një diversant,
se ishte në dijeni të sekreteve të rrezikshme për partinë e pushtetin, të cilat i
plagosuri i kishte marrë me vete në varr. E ndërsa shpirti i malësorit të vdekur
fluturonte në dritën e amshimit, frati torturohej mizorisht në errësirën e birucës,
që i ngjiste shumë bimsave, ku i pati mbyllur dikur turku dy xhaxhallarët e tij martirë.
E kërcënuan. E gjakosën. Kërkonin me çdo kusht të fshehtën e pëshpëritur në fill të
mordes, në sa njeriu flet me meshtarin, si të fliste me vetë Zotin. A mundet vallë
të të tradhtojë Zoti? Prandaj ai qëndroi, e s'do të ishte as i pari as i fundit….
Familja e merrte vesht çka po ndodhte aty brënda, kur i kthehej mbrapsht ushqimi
a kur i dorëzoheshin ndërresat e mpiksura nga gjaku e qelbi, të cilat i lante me lot
në sy, e kunata e devoçme, Luçia. Më 18 janar 1947 gjyqi ushtarak lexoi dënimin
e tij me vdekje. Tri javë Atë Karli priti ditë-natë ekzekutimin. Mbas tri javësh,
dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. Vetëm sepse nuk pranoi të bëhej spijun i
komunistëve! Pse s' pranoi të shkelte premtimin e bërë në elter… 7 vjet kaloi
nëpër burgje. Me 19 korrik 1947 u dërgua për të vazhduar dënimin në Maliq të Korçës.
Adresa e tij e re, siç dëshmojnë letrat e ruajtura nga familjarët, ishte "Kampi i
armiqve të popullit", Maliq , Korçë. Me 3 dhjetor u transferua në Vlashuk të
Urës Vajgurore - Berat e, pak më vonë, në burgun famkeq të Burrelit. Ende s'i kishte
mbushur 43 vjet, kur familja mori nga Atë Donat Kurti telegramin "Pader Karloja ndërroi
jetë më 4 prill 1954 nga nji vdekje e papritun, prej zemret". Qeveria komuniste
nuk u tregua aq e mëshirshme sa Veziri turk. Nuk ia ktheu trupin e vdekur të vetëve.
Frati u varros diku në varrezën e burgut. E familja nuk guxoi t'i qitëte vajin, si
pati bërë me trupin pa kokë të një biri tjetër martir. Familja e qau Atë Karlin në
heshtje, e qau me lot të fshehtë gjaku. … Atë Karli është një nga njerëzit fisnikë
të pa varr, por jo të paemër. Ai nuk shkroi epopenë e kombit, as satira e lirika të
pavdekshme, si Atë Gjergj Fishta e Dom Ndre Mjeda; nuk thuri prozë madhore, si Dom
Lazër Shantoja; drama të bukura, si Dom Ndre Zadeja; nuk kodifikoi Kanunin e Lekës,
si Atë Shtjefën Gjeçovi, nuk mblodhi Eposin e Mujit e të Halilit, si Atë Bernardin
Palaj e Atë Donat Kurti… nuk shkroi, pra, kryevepra të letërsisë a të muzikës shqiptare,
si shumë bashkëvëllezër të tij… Po kjo nuk ia zbeh aspak vlerën. Veprën e tij, mbrojtjen
e idealit, të cilit i kishte kushtuar jetën, Atë Karli e la të shkruar me gjak martiri
ballë për ballë diktaturës. Të japësh jetën për Krishtin është vepër shumë më e madhe
se "Lahuta e Malcís".