2009-04-03 18:19:18

Udha e Kryqit 2009 – udhë e njerëzimit në shekuj


(03.04.2009 RV)RealAudioMP3 Një shtegtim në udhët e njerëzimit. 14 stacione në të cilat gjejmë padrejtësitë e vuajtet e sotme, urrejtjet e luftërat që shkallmojnë kombe të tëra: kjo do të jetë Udha e Kryqit e së Premtes së Madhe në Koloseo, kryesuar nga Papa e medituar nga kryeipeshkvi i dioqezës indiane të Gohatit, imzot Tomaz Menamparampil. Tekstet e prelatit, salezian indian, në krye të një dioqeze me 5 milionë katolikë, ndërmjet 6 milionë banorëve, do të mund të gjinden që nga data 6 prill, e Hëna e Madhe, në tri pika shitjeje të Shtëpisë Botuese të Vatikanit: në Sheshin e Shën Pjetrit, në Sheshin Piu XII e në Rrugën e Propagandës. Meditimet hapin një horizont të gjërë të realitetit të sotëm, në të cilin gjithnjë më shpesh shenjtëria e etja për Zotin mbyten nga kërkimi i kënaqësive kalimtare e nga fryma e oportunizmit.
“Në çastet e vështirësive, nuk duhet menduar se gjithçka është e humbur. Nuk humbet gjithçka, edhe atëherë kur lajmet e këqija vijonë njëri pas tjetrit, kur të pushton ankthi për të sotmen e të nesërmen, kur fatkeqësia t’i përmbys shpresat, kur natyra shkakton viktima e feja vihet në provë”. Kjo është edhe zemra e mesazhit të meditimeve të kryeipeshkvit të Gohatit, imzot Tomaz Menamparampil. Tekstet e Udhës së Kryqit 2009 të bëjnë të meditosh për misterin e vuajtjes së krishterë, për dhunën që thellon urrejtjen ndërmjet grupeve etnike e fetare e ndërmjet kombeve, për konfliktet, për ndeshjen ndërmjet interesave ekonomike e politike. Të këqija që burojnë nga babëzia, nga mendjemadhësia, nga lakmia, nga prirja për kënaqësi kalimtare e ide të paprovuara. Duhet rrëmuar mirë ndërgjegjja përballë çnjerëzimit, që bëhet burim luftërash e mllefesh – shkruan imzot Tomaz Menamparampil - përballë drejtësisë që vepron padrejtësisht ndër gjykata, korrupsionit që zgjat qetësisht rrënjët, strukturave të padrejta që i shtypin nën thembër të varfërit, pakicave që shpërfillen, refugjatëve e emigrantëve që keqtrajtohen. E nuk duhet ta tregojmë me gisht tjetrin, kur shohim si çnderohet njeriu në ekranet televizive, si poshtërohen gratë, si mbledhin plehrat rrugëve fëmijët e lagjeve të varfëra: jo nuk mund e nuk duhet t’i tregojmë me gisht të tjerët, por duhet ta pyesim mirë veten: thua jemi edhe ne vetë fajtorë për gjithë këtë çnjerëzim? E, sidomos, ta pranojmë pjesën tonë të fajit.
Në realitetin e sotëm – vëren imzot Menamparampil - njeriu shqetësohet vetëm për atë që i siguron kënaqësinë e menjëhershme, kënaqet me përgjigje të përcipta, merr vendime që përkojnë me interesat e tij, shpërfill parimet e përhershme të moralit njerëzor. Dëmton kështu rëndë, jo vetëm interesat e tij jetike, por edhe ato të familjes njerëzore.
I krishteri nuk mund e nuk duhet të ecë në një rrugë të tillë: duhet të jetë i drejtë, i ndershëm, të marrë vendime të guximshme e plot përgjegjësi në shërbim të së mirës së përbashkët, të luftojë për drejtësinë, duke e përballuar kundërshtarin me drejtësinë e kauzës së tij e duke ia nxitur vullnetin e mirë. 14 Stacionet e ipeshkvit indian pasurohen me citime nga Dante, Shekspiri, Tagore, Njumën. Skenat shpjegohen me fjalë të thjeshta, por që të prekin me qartësinë e tyre, posaçërisht kur përdoren similitudat ndërmjet Udhës së Kalvarit e udhës që përshkon nëpër të gjitha shtigjet e botës, njeriu i sotëm. E megjithatë – mediton ipeshkvi indian – në botë nuk mungojnë Simonat e Cirenës. I gjejmë ndërmjet miliona të krishterëve me origjinë të përvujtë, që lidhen ngusht me Krishtin; në shpirtin e grave e të burrave të Afrikës e të Azisë, të tokave të largëta e të skajeve të harruara, ku vijojnë të lulëzojnë thirrje për t’ia dhuruar plotësisht jetën Zotit e njeriut, ku bashkësi e fise të vogla jetojnë në përkim të plotë me vlerat e etikës e të Ungjillit, ku shikojmë si ndrin madhështia e asaj, që në dukje është tejet e vogël.
E i gjejmë sidomos në figurën e Marisë. Duke soditur Nënën e Krishtit, ipeshkvi indian na flet për faljen e madhe, që jetohet me fe e me shpresë. Zoja e Bekuar tek këmbët e kryqit nuk ankohet, nuk fajson, nuk fyen, nuk kërkon të marrë hak. Na fton kështu, ta ndjekim, duke falur fyerjet historike, që kanë plagosur me shekuj kujtesën e shoqërisë njerëzore, për t’i shndërruar mëritë kolektive në energji dashurie e dhimbjen e vdekjes, në gëzimin e jetës. Duke vdekur, Krishti na siguroi shëlbimin, prandaj tragjeditë, si cunami, për shembull, na kujtojnë se jeta duhet marrë seriozisht e se qytetet, si Hiroshima e Nagasaki, duhen parë si vende shtegtimi. E kur e ndjejmë fare pranë frymën e akullt të vdekjes, nuk duhet të harrojmë se fare pranë kemi edhe një botë tjetër. Të çlirohemi, pra, nga shpresat e kota e të perceptojmë një realitet shumë më të thellë. Realitet që, për të krishterët, është Jezusi, pushteti e urtia e Hyjit!







All the contents on this site are copyrighted ©.