2009-04-03 18:21:23

Sot Kisha përkujtoi Shën Sikstin I, Papë.


(03.04.2009 RV)RealAudioMP3 Prift romak, bir i një familjeje barinjsh, u zgjodh një zëri në fronin e papnisë nga i gjithë kleri i Qytetit të Amshuar. Ishte papa i gjashtë që e drejtonte Kishën, pas Shën Pjetrit. E kreu misionin e tij në kohën e sundimit të perandorëve Trajani e Adriani.
Trajani, aty nga fundi i mbretërimit të tij, e pa të arsyeshme ta zbutë persekutimin kundër të krishterëve, edhe pse shpesh herë ata që besonin në Krishtin paditeshin më shumë për të zgjidhur ngatërresa politike e familjare, sesa për shkak të fesë.
Kjo atmosferë tolerance fetare vijoi edhe nën sundimin e perandorit Adrian, i cili i shkroi prokonsullit të Azisë: “Në se ndokush i padit të krishterët për sjellje të kundërligjshme dhe e provon këtë padi, atëherë fajtori duhet dënuar sipas ligjit. Por në se padija përdoret si pretekst për shpifje, atëherë duhet dënuar paditësi”.
Në një realitet të tillë lindi, u rrit e kreu, deri në vitin 115, shërbimin e tij papnor Shën Siksti I.
Kujtohet si Papa që vendosi shumë norma të reja të kultit. Ndërmjet tyre, i ndaloi laikët të prekin kelkun shenjt e patenën, apo pjatën e praruar, ku vendoset Hostia e shuguruar, duke ia lënë këtë privilegj vetëm njerëzve të kultit.Është ai që renditi në liturgji edhe të kënduarit tri herë rresht të “Sanctus’ gjatë kremtimit të Meshës. Është fjala për brohoritjen ‘Shenjt, Shenjt, Shenjt është Zoti…”; si dhe shprehjen latine ‘Ite Missa est’ – apo shqip ‘Mesha u krye, shkoni në paqe!’. Mendohet se Siksti përdori për herë të parë edhe ujin në ritin eukaristik e ujin e bekuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.