2009-04-03 18:20:54

Përfunduan në Romë punimet e takimit ndërkombëtar “Nga Sidnei në Madrid 2011”.


(05.04.2009 RV)RealAudioMP3 Përfunduan sot në Romë punimet e takimit ndërkombëtar të organizatorëve për Ditën Botërore të Rinisë të Madridit 2011. Nga Sidnei në Madrid, duke ecur përkrah Shën Palit. Kjo është rruga formuese, që duhet të ndjekin organizatorët e Ditëve Botërore të Rinisë, të ftuar në Romë që nga e premtja e deri më sot, 5 prill, për takimin e parë ndërkombëtar të këtij tipi. Ky takim, i organizuar nga Këshilli Papnor për Laikët, e shikoi ngjarjen e madhe të Madridit me sytë e gëzimit festiv dhe të entuziazmit të papërshkrueshëm shpirtëror të Ditës Botërore australiane, që la pas. Në takim morën pjesë 150 delegatë, përfaqësues të 70 kombeve e bashkësive të ndryshme, të ftuar për të reflektuar mbi fjalët e Shën Palit drejtuar Timoteut: “Shpresojmë në Hyjin e gjallë”.
Dita e parë e punimeve iu kushtua vlerësimit të arritjeve në takimin e Sidneit 2008. Prandaj, ndërmjet të tjerëve, ishte i pranishëm edhe kardinali Xhorxh Pel, kryeipeshkëv i qytetit australian. Më pas u reflektua për ndikimin që pati ngjarja e madhe në Australi e më gjërë dhe për shfrytëzimin e saj si model në punën me rininë.
Puna baritore me rininë – vërejti kardinali Rilko - nuk lejon rutinë, as mediokritet. Ajo kërkon kthimin e vazhdueshëm të zemrave dhe kërkimin e përhershëm të rrugëve të reja për kumtimin e Krishtit.
Sot, delegatët morën pjesë në Meshën e së Dielës së Larit, kryesuar nga Benedikti XVI në Sheshin e Shën Pjetrit, që përkoi edhe me kremtimin e Ditës së 24-t Botërore të Rinisë. Me këtë rast, sipas traditës, të rinjtë australianë ua dorëzuan Kryqin e DBR-së të rinjve spanjollë: kalimi i Kryqit nga dora në dorë, është dëshmi e gjallë e pranisë së Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur në botën e të rinjve.







All the contents on this site are copyrighted ©.