2009-04-02 16:04:47

Takimi i Grupit të 20-shes:po punohet për dokumentin përfundimtar por mbesin ndarjet e brendshme.


(02.04.2009 RV)RealAudioMP3 Dje në Londrën e blinduar nisi takimi i Grupit të 20-shes. Ndërsa qeveritarët brenda takoheshin me njëri-tjetrin, jashtë, protestuesit u përleshën me policinë. Rreth 90 vetë u arrestuan nga policia. Ndërkaq punimet e takimit të nivelit të lartë kanë hyrë në fazën themelore, por ka ende mospërputhje mes pjesëmarrësve për sa i përket masave që duhen marrë për t’i bërë ballë krizës ekonomike botërore.

“Lufta për pastrimin e sistemit bankar, të jipet fund vendeve që janë parajsë fiskale, të mbështetet bashkëpunimi ekonomik dhe të ndihmohen vendet në zhvillim e sipër.” Këto janë temat por edhe detyrat prej të cilave varet shumë edhe suksesi i takimit të Grupit të 20-shes. Deri tani vihen re dy blloqe: nga njëra anë SHBA dhe Britania e Madhe të cilat kërkojnë ndërhyrje të shpejta dhe efikase për ta ndihmuar ekonominë të rimëkëmbet, dhe nga ana tjetër, Franca dhe Gjermania të cilat, përkundrazi kërkojnë rregulla të ashpra për të ndërtuar një sistem financiar ndërkombëtar të ri.
Kështu, pra, vendet më të industrializuara që po takohen këto çaste në Londër nuk kanë ende një strategji të përbashkët për daljen nga kriza. Por, a ka rrezik që kjo krizë ta thellojë edhe më tepër hendekun ndërmjet vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim e sipër? Këtë pyetje ia bëmë drejtorit të përgjithshëm të Federatës të Organizmave Katolike që merren me aktivitet vullnetar Serxho Mareli:

Përgjigje: Ky rrezik është padyshim i pranishëm, dhe do të ishte, të paktën unë kështu mendoj, një nga vendimet më negative që mund të dilnin nga kjo mbledhje. Sikur të mos arrihet një marrëveshje e cila merr parasysh edhe ato 160 e më tepër vende që nuk bëjnë pjesë në vendet e industrializuara, atëherë do të kishim të bënim me një problem tjetër, i cili veç sa do ta keqësonte gjendjen me të cilën do të përballet bota në muajt e ardhshëm.

Pyetje: Fuqitë e mëdha po luftojnë se kush e kush do të jetë i pari në trajtimin e emergjencës ekonomike. Sipas jush a nuk do të ishte më e urtë një rrugë e përbashkët?

Përgjigje: Sigurisht. Mendoj se njëri nga shkaqet për të cilin gjendemi sot në krizë, në nivel planetar, është se kjo nuk është vetëm një krizë financiare e ekonomike por edhe ambjentale, energjetike, një krizë çmimesh, ushqimesh, dhe se deri tani është menduar që këto probleme të zgjidhen veç e veç nga njëri-tjetri.







All the contents on this site are copyrighted ©.