2009-04-02 15:57:31

Përfundoi në Vatikan mbledhja e Komisionit për Kishën në Kinë


(02.04.2009 RV)RealAudioMP3 Përfundoi dje në Vatikan, mbledhja e dytë e Komisionit për Kishën në Kinë. Ky Komision është themeluar nga Papa Benedikti XVI në vitin 2007 për të studiuar çështjet me rëndësi për katolikët kinezë. “Në bashkim me ipeshkvijtë e Kishës në Kinë, përgjegjës kryesorë të bashkësive kishtare – referon komunikata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – do të promovohet një formim më i përshtatshëm human, intelektual, shpirtëror e baritor i klerit dhe i personave të shuguruar, të cilët kanë detyrën e rëndësishme të veprojnë si dishepuj besnikë të Krishtit e si anëtarë të Kishës dhe të kontribuojnë për të mirën e vendit të tyre si qytetarë shembullorë”. “…Pjesëmarrësit – vazhdon komunikata – duke iu referuar edhe përvojës së tyre të vuajtjes, vunë në dukje problematika të ndërlikuara të situatës aktuale kishtare në Kinë, të cilat rrjedhin jo vetëm nga vështirësitë brenda Kishës, por edhe nga marrëdhëniet jo të lehta me Autoritetet civile. Në këtë kontekst – lexohet – u mor vesh me dhimbje lajmi i arrestimit të ri të imzot Gjulio Jia Zhiguo, ipeshkëv i dioqezës së Zhengdingut. Situata të tilla krijojnë pengesa për klimën e dialogut me Autoritetet përkatëse… Fatkeqësisht nuk është rast i izoluar – saktëson Salla e Shtypit e Vatikanit – edhe prelatë të tjerë janë privuar nga liria ose u janë nënshtruar presioneve e kufizimeve në veprimtarinë e tyre baritore”. Të gjithëve, pjesëmarrësit në mbledhjen e djeshme u sigurojnë lutjen në këtë kohë Krezhmësh, të ndriçuar nga Misteri i Pashkëve. Mbledhja përfundoi me një takim me Papën Benedikti XVI.








All the contents on this site are copyrighted ©.