2009-04-02 15:57:18

Papa ipeshkvijve argjentinas: shpallja dhe dëshmia e Ungjillit, shërbimi i parë i të krishterëve për botën


(02.04.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI u takua sot me një grup prelatësh të Konferencës ipeshkvnore argjentinase, në vizitë “ad Limina” në Vatikan.
“Shpallja e dëshmia e Ungjillit – u tha atyre Ati i Shenjtë – janë shërbimi i parë që të krishterët mund t’i bëjnë çdo njeriu dhe krejt racës njerëzore”. Ungjillëzimi, shpjegoi Papa, bëhet para së gjithash duke dëshmuar thjesht e drejtpërdrejt Zotin, që na është zbuluar në Jezu Krishtin, në Shpirtin e Shenjtë. Është dëshmia se përmes Birit të tij, e ka dashur aq shumë botën. Prandaj, ungjillëzimi nuk është vetëm transmetimi apo mësimi i doktrinës, por shpallja e Krishtit, e misterit të Tij e të dashurisë së Tij.
Ipeshkvijve, Papa u kujtoi se e vërteta e Ungjillit gjithsesi nuk imponohet, por ndërthuret me kërkimin e apasionuar të së vërtetës, të së bukurës e të së mirës, që karakterizon njeriun. Çdo aktivitet ungjillëzues – tha Benedikti XVI – lind nga një dashuri e trifishtë, për Fjalën e Zotit, për Kishën e për botën. Detyra e parë e Kishës është pra të ushqehet me Fjalën e Zotit. Papa theksoi se “forma e parë e ungjillëzimit është dëshmia e jetës”. Sot më shumë se kurrë, përfundoi Ati i Shenjtë, ka nevojë për meshtarë, rregulltarë e laikë, që t’ua bëjnë tërheqës Krishtin njerëzve të kohës sonë me dëshminë e qartë të një jete koherente e shembullore.








All the contents on this site are copyrighted ©.