2009-04-01 18:57:45

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: Kisha, përkrah popujve afrikanë, për një ardhmëri me drejtësi e paqe. Papa lutet për lumnimin e Gjon Palit II.


(01.04.2009 RV)RealAudioMP3 Për të ndërtuar realisht një ardhmëri me pajtim e paqe të qëndrueshme për të gjithë, popujt afrikanë duhet ta mbështesin shpresën e tyre mbi Fjalën e Zotit: kjo është porosia e Benediktit XVI në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, përballë më se 20 mijë besimtarëve, pavarësisht nga shiu që, me pak ndërprerje, vijoi gjatë gjithë paradites. Papa rikujtoi çastet më kulmore të shtegtimit të tij të fundit apostolik në Kamerun e në Angolë. Duke përshëndetur shtegtarët polakë, Benedikti XVI nënvizoi trashëgiminë shpirtërore të Papës Vojtila, në prag të katërvjetorit të vdekjes. E, në përfundim të audiencës, takimi prekës me rregulltaret misionare italiane, rrëmbyer në Kenia e mbajtur peng për më se tre muaj.
“Një vizitë për t’i rrokur simbolikisht mbarë popujt afrikanë: kështu e quajti Benedikti XVI shtegtimin e tij të 11-të apostolik ndërkombëtar. Duke rikujtuar etapën kameruneze të vizitës baritore, Papa vuri theksin tek rëndësia që ka Instrumentum laboris për Sinodin e dytë kushtuar Afrikës. Dokumenti iu dorëzua Kishës afrikane në përfundim të Meshës së madhe të Jaundesë, në festën e Shën Jozefit:
“Asambleja sinodale do të mbahet në Romë, por ajo, në një farë mënyre, tashmë ka filluar në zemër të Kontinentit afrikan, në zemër të familjes së krishterë që atje jeton, vuan e shpreson. Prandaj m’u duk fatlum përkimi i publikimit të “Instrumentum laboris” me festën e Shën Jozefit, model feje e shprese, ashtu si Patriarku i parë, Abrahami”.
Besimi në Zotin – vijoi Ati i Shenjtë – është garanci shprese për Afrikën e për mbarë botën, garanci për një ardhmëri me pajtim, drejtësi e paqe. E më pas Papa shtoi: “Në stinën aktuale, gjatë së cilës Afrika po impenjohet për të forcuar pavarësinë politike dhe identitetin kombëtar në një kontekst tashmë të globalizuar, Kisha i shoqëron afrikanët, duke u kujtuar mesazhin e madh të Koncilit II të Vatikanit:
“Mes konfliktesh, për fat të keq ende të shumta e dramatike, që vijojnë të trondisin zona të ndryshme të këtij Kontinenti, Kisha e di se duhet të jetë shenjë e mjet i unitetit e i pajtimit, që mbarë Afrika të mund të ndërtojë, e bashkuar, një ardhmëri me drejtësi, solidaritet e paqe, duke vënë kështu në jetë mësimet e Koncilit II të Vatikanit”.
Papa kujtoi, në vijim, takimet e tij me ipeshkvijtë e Kamerunit si dhe problemet e mprehta, si urgjenca e ungjillëzimit, formimi i seminaristëve, kujdesi baritor për familjen, mbrojtja e të varfërve e kundërshtimi i sekteve, për të cilat u fol gjatë këtyne takimeve. Në nunciaturën e Jaundesë – kujtoi Benedikti XVI – u mbajt takimi me përfaqësuesit e bashkësisë myslimane. Gjatë këtij takimi u ripohua rëndësia e dialogut ndërfetar dhe e bashkëpunimit ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, për ta ndihmuar botën t’ia hapë zemrën Zotit.
Më pas, duke u rikthyer simbolikisht në Kamerun, kujtoi një nga çastet më prekëse të shtegtimit të tij apostolik në Afrikë, vizitën në Qendrën Kardinal Lëzhè të Jaundesë për njerëz të gjymtuar e të sëmurë. Këtu – pohoi Papa – shihet qartë se si mesazhi i Krishtit vihet në shërbim të njeriut që vuan, duke ia ringjalliur shpresat, që burojnë nga feja.Më pas Benedikti XVI vijoi të kujtojë vizitën në Angolë. Ky vend – shpjegoi – i sapo dalë nga një luftë e gjatë e brendshme, sot punon për pajtimin e për rindërtimin që – tërhoqi vëmendjen Papa - nuk mund e nuk duhet të realizohen në dëm të të varfërve:
Në Angolë preket vërtetë me dorë ajo, që paraardhësit e mi të nderuar e kanë përsëritur disa herë: me luftë humbet gjithçka e gjithçka rilind me paqe! Por për ta ndërtuar një komb, nevojiten energji të fuqishme morale. E këtu del përsëri në plan të parë roli i Kishës, që duhet të vijojë veprimtaritë edukative, duke punuar në thellësi për risimin dhe formimin e ndërgjegjeve”.
Benedikti XVI foli edhe për Meshën e madhe të 21 marsit në Luandë, vend që ka si Pajtor Shën Palin. Edhe një herë - tha Ati i Shenjtë – përvoja e Apostullit të Popujve na foli për takimin me Krishtin e Ngjallur, që i shndërron njerëzit e shoqëritë:
“Ndryshojnë rrethanat historike – që duhen përfillur mirë – por Krishti mbetet forca e vërtetë e përtëritjtes rrënjësore të njeriut e të bashkësive njerëzore. Prandaj të rikthehesh tek Zoti, të shndërrohesh nga Krishti, do të thotë të ecësh përpara, drejt realizimit të plotë të jetës".
Për të treguar se Kisha është e gatshme t’i mbështesë përpjekjet e Angolës në rindërtimin e vendit - vijoi Papa – u organizuan dy takime të posaçme, me të rinjtë e me gratë. Për fat të keq, gjatë veprimtarisë së parë ndodhi ngjarja e trishtuar e vdekjes së dy vajzave, që humbën jetën në hyrje të stadiumit, të shtypura nga turma:
“Afrika është kontinent krejt i ri, por megjithatë shumë prej bijve të saj, fëmijë e adoleshentë, u janë hapur plagë të rënda, që vetëm Jezu Krishti, i Kryqëzuar e i Ngjallur, mund t’i shërojë, duke ndikuar në zemrën e tyre, me Shpirtin e tij, forcën që të duan e të impenjohen për drejtësi e paqe”.
Në takimin me gratë – shpjegoi Papa – ripohova se kanë plotësisht të drejtë të marrin pjesë në jetën publike, por pa e cënuar misionin e tyre kryesor në familje.
Pastaj Benedikti XVI i falënderoi përsëri të gjithë ata që dhanë ndihmesën e tyre të çmuar për suksesin e vizitës së tij baritore. Kujtoi edhe veprimtarinë bujare të misionarëve, të rregulltarëve e të vullnetarëve dhe i nxiti besimtarët të luten për popullsitë afrikane, që të mund t’i përballojnë me guxim sfidat e mëdha shoqërore, ekonomike e shpirtërore të së sotmes.
Në çastin e përshëndetjeve, duke iu drejtuar shtegtarëve polakë, Papa u kujtoi Gjon Palin II, në katërvjetorin e vdekjes, dhe i uroi që trashëgimia shpirtërore e Bashkatdhetarit të tyre të Madh t’i frymëzojë në jetën personale, familjare, shoqërore e kombëtare. Së bashku me ju – shtoi Benedikti XVI – i lutem Zotit për dhuratën e lumnimit të tij.
Çast prekës ishte edhe ai i fundit të audiencës, kur Ati i Shenjtë u takua me motër Marinë Tereza Oliviero e motër Katerinën Gjiraudo, misinaret e mbajtura peng në Somali për 102 ditë. Rregulltaret e Lëvizjes kundruese misionare Atë Sharl de Fuko të Kuneos, iu paraqiten Atit të Shenjtë nga kardinali Severino Poleto, kryeipeshkëv i Torinos.







All the contents on this site are copyrighted ©.