Nga 3 deri më 5 prill, takim në Vatikan për organizatorët e Ditës Botërore të Rinisë
të Madridit 2011.
(31.03.2009 RV)Nga Sidnei në Madrid, duke ecur përkrah Shën Palit. Kjo është
rruga formuese, që duhet të ndjekin organizatorët e Ditëve Botërore të Rinisë, të
ftuar në Romë nga 3 deri më 5 prill për takimin e parë ndërkombëtar të këtij tipi.
Ky takim – shkruhet në një notë të dikasterit papnor – e shikon ngjarjen e madhe të
Madridit me sytë e gëzimit festiv dhe të entuziazmit të papërshkrueshëm shpirtëror
të Ditës Botërore australiane, që la pas. Në takimin e fundjavës së ardhshme - vijon
nota – do të marrin pjesë 150 delegatë, përfaqësues të 70 kombeve e bashkësive të
ndryshme, të ftuar për të reflektuar mbi fjalët e Shën Palit drejtuar Timoteut: “Shpresojmë
në Hyjin e gjallë”. Dita e parë e punimeve do t’i kushtohet vlerësimit të arritjeve
në takimin e Sidneit 2008. Prandaj, ndërmjet të tjerëve, do të jetë i pranishëm edhe
kardinali Xhorxh Pel, kryeipeshkëv i qytetit australian. Më pas do të reflektohet
për ndikimin që pati ngjarja e madhe në Australi e më gjërë dhe për shfrytëzimin e
saj si model për punën me rininë. Të shtunën, më 4 prill, vëmendja do të përqendrohet
tek takimi i ardhshëm i Spanjës, duke filluar nga njohja me Kishën vendase, për të
cilën do të flasë kardinali Antonio Roko Varela. Më pas anëtarët e Komitetit organizator
– vijon akoma nota – do të paraqesin arsyet, sfidat e shpresat e reja, që lindin nga
kjo etapë e Ditëve Botërore, shoqëruar me dëshmitë e të rinjve spanjollë. Në vijim
pjesëmarrësit do të ndjekin informacionin e parë për planet organizative. Vlerësimet
përfundimtare do t’i japin kardinali Stanislao Rilko dhe imzot Jozef Klemens, përkatësisht
kryetar e sekretar i Këshillit Papnor për Laikët. Më 5 prill, delegatët do të marrin
pjesë në Meshën e së Dielës së Larit, kryesuar nga Benedikti XVI në Sheshin e Shën
Pjetrit, që përkon edhe me kremtimin e Ditës së 24-t Botërore të Rinisë. Me këtë rast
– përfundon nota – sipas traditës, të rinjtë australianë do t’ia dorëzojnë Kryqin
e DBR-së të rinjve spanjollë: kalimi i Kryqit nga dora në dorë, është dëshmi e gjallë
e pranisë së Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur në botën e të rinjve.