2009-03-31 16:54:02

Më shumë se 300 emigrantë u deklaruan të zhdukur natën e kaluar në det ndërmjet Libisë dhe Italisë.


(31.03.2009 RV)Dymbëdhjetë vjet mbas tragjedisë shqiptare të Otrantos, të 28 marsit të 1997, përsëri një tragjedi tjetër e emigracionit klandestin. Natën që shkoi afro 300 klandestinë u deklaruan të zhdukur në hapësirën detare ndërmjet Libisë dhe bregdetit italian. Më shumë se 20 trupa të pajetë u gjetën nga anijet që shkuan në kërkim të anijes së zhdukur, ndërsa 200 emigrantë të tjerë u shpëtuan nga një rimorkiator italian. Lajmi u konfirmua si nga autoritetet e Tripolit ashtu edhe nga personeli diplomatik i Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit. Pikërisht kryetarit të kësaj organizate, Peter Shatcer i drejtuam një pyetje mbi strategjitë e luftës ndaj kësaj dukurie:


Përgjigje: Patjetër që është e rëndësishme një bashkëpunim më i ngushtë ndërmjet vendeve të përfshira në këtë dukuri, nga njëra anë për të reduktuar numrin e klandestinëve, atëherë kur është e mundur, dhe nga ana tjetër për të krijuar një sistem identifikimi të azilkërkuesve. Kjo bëhet në mënyrë që mos hipin në këto anije të rrezikshme.

Të dielën e kaluar, gjithnjë në ujrat libiane një anije plot me emigrantë shkaktoi afro 21 të vdekur dhe një numër të papërcaktuar të humburish. Por si ka mundësi që nuk ndërhyhet as për të shpëtuar jetët e njerëzve? Mbi këtë flet Berardino Guarino, drejtor i projektit Fondacione Migrantes:


Përgjigje: Para së gjithash jemi përpara një fakti të pashmangshëm të cilin të gjithë bëjnë gjoja se nuk e shohin. Ky fakt është vala e emigracionit e cila nuk do të përfundojë shpejt. Prandaj do të ishte më mirë sikur të krijonim disa kanale humanitare në mënyrë që këta persona të mbërrijnë në Itali pa ndërmarrë këto udhëtime të rrezikshme. Le të kujtojmë këtu se nëpër këto barka ka njerëz që me vërtetë e përfitojnë azilin

Pyetje: Duhet të përqendrohemi mbi të gjitha tek mikpritja më tepër sesa tek kundërshtimi i valës së emigracionit...

Përgjigje: Duhet të përqendrohemi mbi të gjitha tek përmirësimi i kushteve të jetesës së vendeve prej nga vijnë këta emigrantë. Udhëtimi i fundit të Benediktit XVI në Afrikë ngjalli pyetje të reja, u bënë thirrje të reja, por nuk duket se ka një mobilizim të përgjithshëm të ndërgjegjeve.

 

Një tjetër ngjarje e dhimbshme, pra, e cila i drejtohet seriozisht ndërgjegjes sonë dhe na shtyn të marrin me të vërtetë në shqyrtim emigracionin e jashtëligjshëm, dukuri që pavarësisht nismave të fundit ligjore vazhdon të përkeqësohet. Në mikrofonin tonë flet Oliviero Forti, përgjegjës i Zyrës së Emigracionit të Karitasit:


Përgjigje: Fatkeqësisht janë tragjedi të paralajmëruara. Fakti se ndërmerren masa gjithnjë e më shtrënguese nuk bën gjë tjetër veçse shkakton ndërrimin e kursit të barkave me emigrantë. Prandaj nuk duhet të presim edhe aq nga politikat që i vënë pritë emigracionit, por të zbatojmë një politikë bashkëpunimi ndërkombëtare me vendet prej nga vijnë këta emigrantë dhe me vendet nëpër të cilat përshkohen, ku nuk gjejnë gjithë atë mirëpritje dhe ato standarde humanitare që mund të mendohen.







All the contents on this site are copyrighted ©.