2009-03-31 15:47:57

Lutja e Benediktit XVI: popujt e pasur të sensibilizohen për dramën e urisë në botë.


(05.04.2009 RV)Në ndjetin e përgjithshëm të lutjes për muajin prill, Papa Benedikti XVI i fton besimtarët e krishterë të luten “që Zoti ta bekojë punën e bujqve me të korra të bollshme, e t’i sensibilizojë popujt më të pasur për dramën e urisë në botë”.
Uria, në vend që të zhduket, rritet: gati një miliard persona në botë nuk kanë bukë të hanë. Nuk është thjesht fatalitet, shkaktuar nga gjendja e ambientit ose nga katastrofa natyrore, denoncon Papa. Në fakt, planeti ka burime të mjaftueshme për ta shuar urinë globale, por të uriturit shtohen, duke krijuar një shkandull të turpshëm, i cili varet sidomos nga llogjika e mbizotërimit të përfitimit ndaj dinjitetit njerëzor. Për Atin e Shenjtë, nevojiten masa të guximshme, që të respektojnë parimin e destinacionit universal të pasurive tokësore e të kundërshtojnë atë globalizim, që zbatohet sipas ligjit të më të fortit, apo me anë të politikave proteksioniste, të cilat u pengojnë hyrjen në treg të varfërve e prodhojnë fenomene spekulative.
Këtë gjendje e paguajnë popullsitë fshatare të vendeve në zhvillim: puna e tyre, vazhdon Benedikti XVI, shfrytëzohet rëndë dhe prodhimi shkon në tregje të largëta, me pak ose aspak përfitim për bashkësinë lokale. Kjo sjell emigracion dhe prishje të familjeve.
Papa sinjalizon paradoksin tragjik të një bote, “që eksperimenton një pasurim pa precedent, si ekonomik, ashtu edhe shkencor e teknologjik”, por edhe një rritje dramatike të varfërisë. “Duhet të pranojmë – nënvizon – se përparimi teknik, megjithëse i nevojshëm, nuk është gjithçka; përparim i vërtetë është vetëm ai që mbron dinjitetin e njeriut dhe i lejon çdo populli të ndajë me të tjerët pasurinë e vet shpirtërore e materiale, për të mirën e të gjithëve”.
Është i nevojshëm bashkëpunimi ndërmjet vendeve të pasura e të varfëra, ndërmjet institucioneve ndërkombëtare e organizatave jo qeveritare: një aksion i përbashkët që t’i ndihmojë bashkësitë e vendit të lulëzojnë në territoret e veta e të jetojnë në harmoni me kulturat tradicionale.
Secili prej nesh – pohon Benedikti XVI – duhet të impenjohet për të luftuar mungesën e ushqimit, edhe duke ndryshuar mënyrën e vet të jetesës. Një fjalë e lashtë e etërve të Kishës thotë: “Jepi të hajë atij që po vdes urie, sepse, nëse nuk i jep të hajë, e vret”. Në këtë kohë Kreshmësh, Papa i fton besimtarët të agjërojnë e t’i heqin diçka vetes për t’ia dhënë të tjerëve, e kujton se në fund të jetës do të gjykohemi mbi bazën e dashurisë së treguar: “…kisha uri e më dhatë të ha”.








All the contents on this site are copyrighted ©.