2009-03-30 17:04:00

U publikua programi i kremtimeve të Javës së Madhe, që do të kryesohen nga Papa. Lëmoshët e së Enjtes së Madhe - për katolikët e Gazës.


(30.03.2009 RV)Me Javën e Shenjtë ose Javën e Madhe, siç quhej në shekullin IV në Egjeri e siç quhet edhe sot e kësaj dite ndër shqiptarë, përfundojnë Krezhmët e hyjmë në kremtimet e Pashkëve. Zyra e Kremtimeve liturgjike publikoi sot programin e kremtimeve të Javës së Madhe, që do të kryesohen nga Ati i Shenjtë.
Ritet e Javës së Madhe do të nisin të Dielën e Larit e të Mundimeve të Zotit, më 5 prillin e ardhshëm, e do të arrijnë kulmin me Triditshën e Pashkëve, qendër e gjithë vitit liturgjik.
Në Javën e Madhe, Kisha kremton misteret e shëlbimit: “Vepër e shpërblimit e kryer nga Krishti i cili, duke vdekur, e shkatërroi vdekjen e, duke u ngjallur, na dha përsëri jetë ne të gjithëve”.

Benedikti XVI do t’i kryesojë të gjitha ritet e Javës së Madhe, duke filluar nga 5 prilli i ardhshëm në orën 9. 30 me Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit për të Dielën e Larit e të Mundimeve të Zotit. Kjo datë përkon me Ditën Botërore të Rinisë me temë «Shpresojmë në Hyjin e gjallë! », që do të kremtohet në nivel dioqezan. Para se të fillojë proçesioni eukaristik, Ati i Shenjtë do të bekojë larin, palmat e degët e ullinjve, ndërsa në përfundim të proçesionit, do të kremtojë Meshën Shenjte të Mundimeve të Krishtit.

Të Enjten e Madhe, më 9 prill, duke nisur nga ora 9. 30, Shenjtëria e Tij do të kryesojë Meshën e Bagmit në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë kremtimit do të bekohet vaji i katekumenëve dhe i të sëmurëve. Bashkëkremtimi i Papës me kardinajtë, ipeshkvijtë e meshtarët e pranishëm në Romë do të jetë simbol i bashkimit të ngushtë ndërmjet Kryebariut të Kishës universale dhe sivëllezërve të tij në meshtari.

Triditshja e Mundimeve dhe e Ngjalljes së Zotit, ‘kulm i gjithë vitit liturgjik’ do të fillojë me Meshën e Darkës së Fundit të Krishtit, që Papa do ta kremtojë duke nisur nga ora 17. 30 në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Benedikti XVI do t’u lajë këmbët 12 meshtarëve. Gjatë ritit, të pranishmëve do t’u drejtohet ftesa për të bërë një akt bamirësie si ndihmë për bashkësinë katolike të Gazës. Shuma që do të mblidhet do t’i dorëzohet Atit të Shenjtë në çastin e paraqitjes së dhuratave.

Të Premten e Madhe, më 10 prill, në orën 17. 00, Shenjtëria e Tij do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Kremtimin e Mundimeve të Zotit me ritin e Adhurimit të Kryqit e pastaj, në mbrëmje, në orën 21. 15, Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseo, në përfundim të së cilës do të përshëndesë besimtarët dhe do të japë bekimin e tij apostolik. Sivjet Meditimet e Udhës së Kryqit janë përgatitur nga kryeipeshkvi indian Tomas Menamparampil.

Të Shtunën e Madhe, me 11 prill, në orën 21. 00 Benedikti XVI do të kryesojë kremtimin e Natës së Pashkëve në Bazilikën e Vatikanit. Sipas traditës, kjo natë në të cilën Krishti u ngjall njihet si ‘Nëna e të gjitha netëve të lutjes’, prandaj edhe kalohet në uratë. Kisha rri zgjuar duke pritur Ngjalljen e Zotit me kremtimin e Sakramenteve fillestare të jetës së krishterë. Kremtimi do të nisë me ritin e bekimit të zjarrit të ri në tremen e Bazilikës, pasuar nga Mesha shenjte e kryesuar nga Benedikti XVI.

Të Dielën, më 12 prill, Solemniteti i Pashkëve, në orën 10. 30, Papa do të kremtojë Meshën e Ditës në Sheshin e Shën Pjetrit e më pas, nga lozha qëndrore e Bazilikës, do të japë Bekimin ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’.







All the contents on this site are copyrighted ©.