2009-03-28 17:26:06

Papa të rinjve të Shërbimit civil: “të jeni gati edhe të vuani për të mirën e drejtësinë”.


(28.03.2009 RV)RealAudioMP3 “Të jeni persona në shërbim të të tjerëve, të gatshëm edhe të vuani për të mirën e drejtësinë”: kështu u foli Papa Benedikti XVI të rinjve të Shërbimit italian civil, të cilët i priti dje paradite në audiencë në Vatikan. Ishin të pranishëm rreth 7 mijë vullnetarë.
Ati i Shenjtë shprehu vlerësimin e tij për punën e të rinjve, e cila është mision në shërbim të paqes, u tha. Fatkeqësisht, lufta e dhuna s’ka fund kurrë dhe arritja e paqes është gjithnjë e më e vështirë. Takimi me vullnetarët e Shërbimit civil u kthye në rast për të denoncuar garën e armatimeve, pasi nuk është ajo rruga e sigurtë për të ruajtur paqen, por është një nga plagët më të rënda të njerëzimit, që dëmton në mënyrë të patolerueshme të varfërit, theksoi Benedikti XVI. Është e nevojshme, shtoi Papa, të fillohet nga “reforma e shpirtrave”:
“Sot si atëherë, kthimi i vërtetë i zemrave përfaqëson rrugën e drejtë e të vetme drejt paqes, për secilin prej nesh e për krejt njerëzimin. Është rruga që na tregon Jezusi: Ai – që është Mbreti i gjithësisë – nuk erdhi për ta sjellë paqen në botë me ushtri, por përmes refuzimit të dhunës. Ia thotë qartë Pjetrit në kopshtin e Ullinjve: “Ktheje shpatën në vend të vet, sepse të gjitha ata që kapin shpatën, prej shpatës edhe do të vdesin” (Mt 26,52)
Kjo është rruga që kanë ndjekur e ndjekin jo vetëm dishepujt e Krishtit – vazhdoi Papa – por shumë njerëz vullnetmirë, dëshmitarë të guximshëm të forcës që ka mospërdorimi i dhunës. E gjithnjë, duke pasur parasysh Koncilin II të Vatikanit, theksoi:
“Nuk mund të mos lavdërojmë ata që, duke hequr dorë nga dhuna në kërkimin e të drejtave të tyre, përdorin mjetet e mbrojtjes së personave të vobektë, me kusht që kjo të bëhet pa paragjykuar të drejtat e detyrat e të tjerëve e të bashkësisë”. Në këtë kategori veprimtarësh të paqes hyni edhe ju, të dashur miq të rinj. Qofshi pra, gjithmonë e gjithkund mjete paqeje, duke hedhur poshtë me vendosmëri egoizmin dhe padrejtësinë, indiferencën dhe urrejtjen, për të ndërtuar e përhapur me durim e këmbëngulje drejtësinë, barazinë, lirinë, pajtimin, mikpritjen, faljen në çdo bashkësi”.
Të rinjtë e Shërbimit Civil, në një vend si Italia, ku nuk ekziston më shërbimi i detyruar ushtarak, impenjohen me Karitasin dhe struktura të tjera sociale, për zgjidhjen e problemeve të njerëzve që kërkojnë solidaritet.







All the contents on this site are copyrighted ©.