Instrumentum Laboris per Sinodin e Afrikës. Me ne atë Gjulio Albanese
(28.02.2009 RV)Javës që shkoi përfundoi
udhëtimi XI apostolik i Papës Gjon Pali II në Afrikë. Ati i Shenjtë vizitoi dy vende
të kontinentit, Kamerunin dhe Angolën, duke i dorëzuar Kishës, Instrumentum Laboris
për Sinodin e ardhshëm të Afrikës, që do të zhvillohet në Vatikan, në tetorin e këtij
viti. Në çdo takim publik, Papa nënvizoi pikërisht temat e sinodit, foli për drejtësinë,
pajtimin e paqen. Për to ka nevojë krejt bota, por Afrika në veçanti. Gjatë vizitës,
Papa tregoi vëmendje të madhe për të plagosurit nga minat në Angolë, për refugjatët,
të shpërngulurit e për popullsitë, të cilave u mohohet zhvillimi. Lavdëroi dhe inkurajoi
nismat e pajtimit dhe i bëri thirrje botës të tregojë solidaritet më të madh për Afrikën. Pikërisht
mbi Instrumentum Laboris të Sinodit për Afrikën, të dëgjojmë mendimin e atë Gjulio
Albanese, misionar kombonian, drejtor i revistës kishtare “Popuj e Misione”, i cili
e ka ndjekur Papën në udhëtimin e tij në Afrikë: Sipas meje, kemi të bëjmë
me një mjet shumë të rëndësishëm, pasi me të vërtetë, arrin të bashkojë përshpirtërinë
e krishterë me problemet e jetës reale të njerëzve. Papa nënvizon qartë se ndryshimet
e vërteta, para se të bëhen në shoqëri, duhet të realizohen në bashkësinë e krishterë.
Është bashkësia e krishterë, që duke metabolizuar Ungjillin, përmes inkulturimit,
bëhet më pas kripa e tokës e drita e botës. Nga dokumenti i punës del
në pah gjallëria e madhe e Kishës në Afrikë… Sigurisht, mjafton të reflektojmë
mbi dëshminë e jashtëzakonshme si të klerit lokal, ashtu edhe të shumë rregulltarëve
e misionarëve që, gjatë këtyre viteve, sidomos në disa skenarë të përgjakshëm, janë
bërë me të vërtetë një lloj force ndërmjetësuese paqtore mes grupimeve të kundërta.
Pak rëndësi ka që kjo ka ndodhur në një kontekst lufte, apo në mesin e barakave në
periferi të këtij ose të atij kryeqyteti. Kisha nuk ka vënë në zbatim vetëm solidaritetin,
por ka promovuar edhe susidiaritetin, pra sensin e përgjegjësisë së përbashkët, që
duhet eksperimentuar nga besimtarët. Dokumenti denoncon me forcë fuqitë
ndërkombëtare që duan ta shfrytëzojnë Afrikën… Perceptimi i ipeshkvijve
afrikanë, por edhe i shumë misionarëve, është se fatkeqësisht Afrika përfaqëson edhe
sot një kafshatë të shijshme. Është një kontinent që lundron mbi naftë, me burime
të jashtëzakonshme minerare. Mesazhi që vjen nga Instrumentum Laboris është se Afrikat
– parapëlqej të flas në shumës, sepse kontinenti është tri herë më i madh se Evropa
– nuk janë të varfëra, siç thotë dikush, por varfërohen. Afrikat nuk kërkojnë lëmoshë,
por drejtësi. Thuhet “të ndihmojmë Afrikat të dalin nga nënzhvillimi”, por problemi
i vërtetë është se paratë shkojnë më tepër nga Afrikat drejt veriut të botës, se sa
anasjelltas. Kisha impenjohet për drejtësinë e paqen, përkrah të varfërve,
por Instrumentum Laboris denoncon se ajo sulmohet nga të gjitha anët. Kush dëshiron
t’ia mbyllë asaj gojën? Të themi se prania e bashkësive të krishtera në
kontinent, shpesh është prani e pavolitshme. Për ç’arësye? Pasi këto bashkësi mbështesin
njerëzit e nuk rreshtohen me këtë apo me atë pushtet. Në këtë fushë, tregohet kujdes
i madh, pikërisht se kjo është pjesë përbërëse e magjisterit shoqëror të Kishës për
të drejtat e njeriut, të krijuar në ngjashmëri e shembëlltyrë me Zotin. Meqë shpesh,
rregullat e lojës vendosen nga oligarkitë lokale, nga interesat e pjesshme të lidhura
sidomos me lëndët e para, ja që prania e rregulltarëve dhe e misionarëve në kontekste
të caktuara gjeostrategjike shihet me dyshim e shpesh kjo ka shkaktuar madje martirizime. Instrumentum
Laboris ka për qëllim t’i japë shpresë Afrikës… Po, shpresë, që po ta mendojmë
mirë është optimizmi i Zotit. Me një fjalë, të kuptojmë se megjithë problemet, Afrika
duhet ta shohë të ardhmen me shpresë, sepse historia e kontinetit është gjithsesi
histori shpëtimi. Nëse mungon kjo perspektivë teologale, kjo perspektivë ungjillore,
nuk shkojmë asgjëkundi. Gjestet e bamirësisë së bashkësisë së krishterë janë vërtet
shenja shprese, që përvijojnë një të ardhme më të mirë.