2009-03-25 17:39:34

Instrumentum Laboris për Sinodin e Afrikës: impenjimi i Kishës përkrah të varfërve dhe sfidat e neokolonializmit.


(25.03.2009 RV)Pas udhëtimit të Papës Benedikti XVI në Kamerun dhe Angolë, Kisha është gjithnjë e më shumë e projektuar drejt Sinodit për Afrikën, që do të mbahet nga 4 deri më 25 tetor në Vatikan. Më 19 mars, në Jaundé, Ati i Shenjtë u dorëzoi ipeshkvijve zyrtarisht Instrumentum Laboris dhe uroi që punimet e Asamblesë sinodale ta rrisin shpresën për popujt afrikanë dhe t’i japin një shtysë të re ungjillore e misionare pajtimit, drejtësisë dhe paqes në kontinentin e zi, siç propozon tema e Sinodit.
Instrumentum Laboris vë në dukje dritëhijet e Afrikës, duke nënvizuar se kontinenti ka shumë anë pozitive, që shpesh nuk pasqyrohen në media, ku ai përshkruhet si vendi i problemeve të çdo lloji. Dokumenti sinjalizon si pozitiv, emancipimin e diktaturave dhe zhvillimin e një kulture demokratike, megjithëse akoma të pamjaftueshme. Pastaj, rritja e bashkëpunimit ndërmjet vendeve afrikane, ndërsa në nivelin shpirtëror, etja e madhe për Zotin, që pasqyrohet në rritjen e numrit të të pagëzuarve, të thirrjeve meshtarake e rregulltare, në impenjimin e katekistëve, në zhvillimin e lëvizjeve dhe të shoqatave laike të krishtera, në gjallërinë e bashkësive katolike. E akoma, përhapja e universiteteve katolike dhe të mas mediave me frymëzim të krishterë, sidomos të radiove. Për të mos folur për impenjimin e Kishës në fushën e shëndetësisë, me qendra e spitale. Në veçanti, në luftën kundër Sidës, strukturat katolike mbulojnë 27% të impenjimit të përgjithshëm.
Pas anëve pozitive, Instrumentum Laboris nuk harron edhe anët negative të Afrikës. Është i fortë denoncimi për fuqitë ndërkombëtare që shfrytëzojnë kontinentin: “ushqejnë luftën për të shitur armë. Mbështesin pushtete politike, që nuk respektojnë të drejtat e njeriut dhe parimet demokratike, për të siguruar kështu, avantazhe ekonomike”. “Firmat shumëkombëshe vazhdojnë ta pushtojnë gradualisht kontinentin për t’i marrë burimet natyrore. Shtypin firmat lokale, duke blerë mijëra hektarë e duke u marrë popullsive tokën, me bashkëpunimin e drejtuesve afrikanë”, e duke shkaktuar kështu dëme të mëdha për ambientin.
Në dokument denoncohet edhe fakti se shpesh ndihmat ndërkombëtare shoqërohen me “kushte të papranueshme”, që e dobësojnë edhe më tej ekonominë afrikane dhe rrisin dallimet ndërmjet të varfërve e të pasurve. E gjithë kjo, ndërsa nuk respektohen premtimet e ndihmave për zhvillim, që vazhdojnë të zvogëlohen. Vjen më pas kapitulli mbi bujqësinë, ku vihen në dukje padrejtësitë që pësojnë fshatarët, të cilët detyrohet t’i shesin prodhimet e tyre me çmime shumë të ulta. Denoncohet edhe praktika e Ogm-ve (organizmave gjenetikisht të modifikuar), të cilat sipas disave duhet të garantojnë sigurinë ushqimore: në të vërtetë – shkruhet në Instrumentum Laboris - “rrezikojnë të shkatërrojë kultivuesit e vegjël e të zhdukin farat e tyre tradicionale, duke i lënë në varësinë e shoqërive prodhuese të Ogm-ve”.
“Globalizimi – vazhdon më tej dokumenti – rrezikon ta mënjanojë kontinentin afrikan, dhe nga ana tjetër, po vë në zbatim një proces të organizuar shkatërrimtar për identitetin afrikan e për vlerat e tij tipike si: respekti për të moshuarit, për gruan si nënë, kultura e solidaritetit, e ndihmës së ndërsjelltë dhe e mikpritjes, e unitetit. Po shkatërrohet familja e kohezioni shoqëror. Afrika tregohet e dobët para modelit kulturor të fuqive ushtarake dhe ekonomike, që po imponojnë mohimin e jetës e shkatërrimin e kulturës afrikane.
Nga ana e saj, Kisha dëshiron t’i japë zë britmës së të varfërve, të shtypur nga neokolonializmi, lufton kundër padrejtësive, korrupsionit, shfrytëzimit dhe dhunimit të të drejtave të fëmijëve e të grave. Është një mision profetik – theksohet në Instrumentum Laboris – i cili shpesh bllokohet nga presioni i pushtetit, që përdor edhe sektet e krishtera për të sulmuar Kishën Katolike. Në fakt, sektet predikojnë shpesh një Ungjill aspak impenjativ, që nuk interesohet për çështjet shoqërore. Ndërsa Kisha dëshiron të jetë “shenjë kontradikte” dhe “zëri i atyre që nuk kanë zë”, dëshiron të zgjojë ndërgjegjen e krishterë në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Para atyre që do të donin tua mbyllnin gojën katolikëve, dokumenti për Sinodin e Afrikës bën thirrje për “guxim profetik”, në vazhdën e fjalëve të Jezusit, që përgatit dishepujt të jetojnë me të persekutimin për shkak të tij.
Dokumenti përfundon me lutjen drejtuar “Nënës së Zotit, Mbrojtëse e Afrikës”, që përmes Saj, të krishterët të jenë dëshmitarë të Krishtit të Ringjallur dhe të bëhen gjithnjë e më tepër “kripa e tokës e drita e botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.